Siri, shpërthime në Idlib dhe Damask
Të paktën nëntë njerëz janë vrarë dhe rreth 100 të tjera janë plagosur pas dy shpërthimeve vetëvrasëse në qytetin Idlib në veriperëndim të Sirisë.
Bombat ishin vendosur në makina të ngarkuara me eksploziv të pozicionuara pranë një reparti ushtarak dhe një hoteli.
Mediat lokale thanë se mes të vrarëve ka forca të sigurisë dhe civilë.
"Isha duke fjetur në shtëpi me gruan dhe fëmijët e mi. Papritmas dëgjuam një shpërthim të fuqishëm. E gjithë ndërtesa u shkund. Gruaja dhe fëmijët u plagosën. Shtëpia ime është kthyer në rrënoja. A është kjo liria që ata janë duke kërkuar?"
Deri tani nuk ka asnjë pretendim për përgjegjësinë e vendosjes së bombave. Por mediat shtetërore thanë se autorët janë “terroristë të armatosur”.
Qyteti është një bastion i opozitës ku trupat qeveritare ndërmorën një ofensivë vitin e kaluar.
Më herët, një shpërthim i fuqishëm u raportua edhe në afërsi të kryeqytetit Damask, duke plagosur katër oficerë dhe duke i shkaktuar dëme Bankës Qendrore.
Sulmet po bëhen pengesë për përpjekjet e fundit të Kombeve të Bashkuara për t'i dhënë fund krizës 13-mujore në Siri.
Gjashtëmbëdhjetë vëzhgues të OKB-së ndodhen tashmë në terren për të shpëtuar armëpushimin që hyri në fuqi më 12 prill. (Leftion Peristeri)