Dhuna në Siri ka rënë ndjeshëm tani që ka hyrë në fuqi armëpushimi. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun thotë se gjendja është ende shumë e brishtë:
"Ky është një proces shumë i ndjeshëm dhe shumë i brishtë kur është fjala për ndërprerjen e dhunës. I dërguari i posaçëm i përbashkët i OKB-së Kofi Anan, unë dhe shumica e udhëheqësve botërorë e kanë bërë të qartë se çfarëdo militarizimi apo operacioni ushtarak nuk janë rrugëzgjidhje. Ato vetëm do ta ndërlikonin dhe do ta përkeqësonin gjendjen. "
Z. Ban Ki Mun shprehet se po punon me Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të dërguar sa më shpejt vëzhgues ndërkombëtarë në Siri. Njoftohet se një grup prej rreth 30 vëzhguesish do të shkojë aty në dy ditët e ardhshme dhe një mision i plotë vëzhgimi do ta pasojë atë nëse dhuna nuk rifillon në javën e ardhshme.
Kreu i OKB-së u kërkoi gjithashtu forcave siriane të përfundojnë tërheqjen e tyre nga zonat e populluara, çka duhej të ndodhte të martën sipas planit të paqes të Kofi Ananit. Ndërkohë, qeveria siriane po u bën thirrje rreth 200 mijë qytetarëve të saj të zhvendosur të kthehen në shtëpitë e tyre. (Artani)