Në orën 6 të mëngjesit të 12 prillit sipas orës vendore, trupat qeveritare siriane dhe forcat opozitare nisën zbatimin e armëpushimit. Pjesa më e madhe e vendit ka qenë e qetë, ndonëse ka pasur disa incidente që kanë shkelur marrëveshjen e armëpushimit. Po atë ditë pasdite Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi konsultime mbi një projektrezolutë për dërgimin e një misioni vëzhgimi në Siri dhe pritet ta miratojë atë së shpejti.
Agjencia e Lajmeve e Sirisë njoftoi se ata që ajo i quan "terroristë të armatosur" shpërthyen një pako me eksploziv në një autobus ushtarak në orën 8 të paradites afër qytetit Aleppo, duke shkaktuar vdekjen e një oficeri dhe plagosjen e 24 oficerëve e ushtarëve të tjerë.
Po të enjten paradite Këshilli i Sigurimit zhvilloi konsultime me dyer të mbyllura mbi problemin e Sirisë, ku i dërguari i posaçëm i OKB-së Kofi Anan raportoi për situatën nëpërmjet një videokonference. Z. Anan kërkoi që Këshilli i Sigurimit të autorizojë dërgimin e menjëhershëm të një misioni vëzhgimi në Siri. Presidentja e radhës e Këshillit të Sigurimit, përfaqësuesja e përhershme e SHBA-së në OKB Suzan Rajs, u shpreh se, në qoftë se në Siri nuk ndodhin ngjarje dhune deri javën e ardhshme, Këshilli i Sigurimit do ta realizojë dërgimin e këtij misioni.(Zhan Dian/Artani)