Teksa kanë mbetur më pak se 24 orë nga koha kur ka premtuar se do të tërheqë trupat e saj, qeveria siriane ka kërkuar nga opozita garanci me shkrim se do të ndalojë sulmet. Ajo u ka bërë gjithashtu thirrje disa qeverive të huaja të premtojnë se nuk do të financojnë apo përkrahin opozitën.
Ministri i Jashtëm sirian thotë se është interpretuar gabim që qeveria do t'i tërhiqte trupat nga qytetet përkatëse më 10 prill. Por disa orë pas deklaratës grupet e opozitës thanë se e kanë dhënë tashmë fjalën për të ndaluar luftimet në qoftë se edhe forcat qeveritare e bëjnë një gjë të tillë.
Konflikti që po vazhdon ndërmjet të dy palëve, ka shtuar frikën se arritja e një armëpushimi është e vështirë.
Në një plan paqeje të ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së Kofi Anan i bëhet thirrje qeverisë siriane të tërheqë trupat e saj nga zonat e populluara të martën dhe 48 orë pas kësaj të fillojë armëpushimi.
Ndërkohë, nga terreni raportohet për luftime të ashpra në mbarë Sirinë. Ka njoftime se forcat qeveritare po godasin me artileri zonat e kontrolluara nga opozita në qytetin Homs të Sirisë Qendrore dhe në provincën e Idlibit, pranë kufirit me Turqinë. Qeveria siriane thotë se do ta vazhdojë luftën derisa grupet e armatosura të hedhin armët. (Artani)