Qeveria e Iranit ka konfirmuar se raundi tjetër i bisedimeve ndërkombëtare mbi programin bërthamor të këtij vendi është vendosur të fillojë më 13 prill. Ministri i Jashtëm Ali Akbar Salehi thotë se vendi për të ashtuquajturat bisedime me G5+1-shin do të përcaktohet brenda disa ditëve.
Ky njoftim vjen në kohën kur kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ndodhet në Iran. Lidhur me bisedimet me zyrtarët iranianë, z. Erdogan shprehet:
"Ne diskutuam lidhur me zhvillimin në Turqi të raundit të ardhshëm të bisedimeve për problemin bërthamor me vendet e G5+1-shit. Kemi arritur hapa përpara drejt këtij objektivi dhe po presim të shohim cili është këndvështrimi i tyre."
Turqia ka krijuar lidhje të ngushta ekonomike me Iranin dhe ka pikëpamje të ndryshme nga ato të ShBA-së lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes bërthamore me Iranin. Turqia ka mbështetur vazhdimisht negociatat përpara sanksioneve.
Vendet e G5+1-shit përfshijnë pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së plus Gjermaninë. Raundi i fundit i bisedimeve të Iranit me këto vende, i zhvilluar në Stamboll, dështoi, duke mos arritur ndonjë përparim të rëndësishëm. (Artani)