PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Pije alkoolike në Shqipëri
2012-03-21 16:10:58 cri komenti juaj Printoni

Pijet alkoolike janë përdorur gjerësisht që në antikitetin e lashtë dhe nga shumë civilizime anë e mbanë globit. Në Shqipëri gati 2.1 % e popullsisë konsumon pije alkoolike çdo ditë.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik flasin për një numër tepër të madh të përdoruesve te alkoolit në vend, që arrijnë në masën 20%.

Në bazë të studimeve të bëra nga ISHP-ja, rreth 40% e meshkujve në moshë aktive janë alkoolpirës dhe 5 për qind e femrave në vend parapëlqejnë të marrin alkool në mënyrë sistematike.

Nga një studim i bërë kohët e fundit thuhet se gjatë viteve të fundit ka pasur zhvillime të forta në tregun e verërave në Shqipëri, por nga ana tjetër, oferta po rritet me ritme më të shpejta se kërkesa. Prodhuesit shqiptarë të verës ndahen në: prodhues individualë dhe kantina të licencuara.

Vlen të theksohet se shumica e prodhimit vendës përbëhet nga vera e kuqe, ngaqë konsiderohen nga publiku dhe prodhuesit si të cilësisë më të lartë. Edhe verërat më të shtrenjta janë thuajse të gjitha të kuqe. Baret dhe restorantet në pjesën më të madhe shesin verë të hapur. Kërkesa për verëra të ëmbla dhe të gazuara paraqitet shumë e ulët. Studimi thekson se prodhuesit shqiptarë mbivlerësojnë preferencën e konsumatorëve për verë të kuqe.

Vera e importuar mbizotëron në mënyrë absolute në segmentin me normë të lartë cilësi/çmim, si dhe paraqitet në pozita dominuese në segmentin e produkteve me cilësi të lartë.

Verëra të lira nga importi janë tentuar të futen në më shumë se një rast në tregun shqiptar, por kanë hasur vështirësi në strukturën e shitjes.

Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore të vitit 2007, shumica e fermave – rreth 300 mijë – prodhojnë rrush, që përdoret për konsum tavoline, si dhe për prodhim vere e rakie. Sipas studimit, në vitin 2009 rezultonin 69 kantina vere të licencuara, që punësonin mbi 300 persona.

Tregu i Verës

Në Ballkan kultivimi dhe prodhimi i verës është thellësisht i fragmentuar: shumë fermerë të vegjël shesin prodhimin e tyre tek prodhuesit.

Cilësia në përgjithësi është e një niveli të ulët, pikërisht nga llojet e ndryshme dhe nga vreshta të ndryshme të rrushit, ndërkohë që kërkesat për verë me cilësi të mirë janë vazhdimisht në rritje: kjo është arsyeja pse vera italiane zotëron vendin e parë si në importe edhe në konsum e shoqëruar nga vendet fqinje, si vera nga Mal i Zi, Greqia dhe Franca. Ecuria e tregut të verës së importuar në Shqipëri në vitin 2010 ka arritur vlerën 6,6 miliardë $, me një ndryshim pozitiv në 16% krahasuar me vitin 2009.

Për Shqipërinë Italia zë vendin e parë për importin e verërave (me 77%), e ndjekur nga Franca, nga Mali i Zi (përkatësisht 6%), Maqedonia, Spanja (me 4%), Greqia (2%).

Vera e eksportuar nga Shqipëria në vendet e Ballkanit është e orientuar kryesisht drejt Kosovës, Maqedonisë dhe Bosnjës.

Para se të mendohet për rritjen e eksporteve të prodhimit vendës, gjithë rajoni i Ballkanit ka për qëllim të përmbushë kërkesat e brendshme. Qeveria shqiptare po investon në përmirësimin e teknologjisë ekzistuese dhe politikave nxitëse për përdorimin e tokave duke inkurajuar fermerët të mbjellin vreshta të reja dhe duke pasur si qëllim kthimin e kësaj zone në kufirin i ri të tregut të verës, për të përmbushur nevojat e tregut vendës.

Në Shqipëri janë reth 80 kompani të cilat merren me prodhimin e pijeve alkoolike të cilat operojnë në të gjithë vendin, 28 prej të cilave janë kompani të prodhimit të verës.

Pijet alkolike tradicionale shqiptare janë: vera e kuqe, birra, rakia, konjaku, fërneti dhe likeri.

Vera

Zonat në të cilat prodhohet vera më e mirë janë rreth Korçës dhe Beratit, por gjithashtu verë e mirë prodhohet në Tiranë dhe në veri të vendit, në Lezhë dhe Shkodër.

Disa nga verërat më të mira shqiptare janë Merlot, Tokai, Kallmet, Sheshi i Zi, Rozafa, Çobo, etj.

Birrë

Birra prodhohet në Tiranë (Birra Tirana, Birra Kaon, Birra Stela), në Korçë (Birra Korça), Shkodër (Birra Rozafa), Vlorë (Birra Norga).

Fabrikat e Tiranës dhe Korçës prodhojnë dhe birrën e zezë perveç birrave të tjera të cilat tregtohen më gjerë.

Raki

Një tjetër pije alkoolike e cila konsumohet gjerësisht në Shqipëri është rakia. Rakia zakonisht bëhet nga distilimi i lëngut të rrushit, por në Shqipëri ajo prodhohet dhe nga manat, manaferrat, molla, dëllinja, etj.

Fabrika e verës Çobo në Berat prodhon dhe raki shumë të mirë arre.

Gjithsesi rakia më e mirë është ajo që prodhohet në shtëpi e cila mund të gjendet lehtësisht në dyqane.

Konjak

Konjaku kryesor që tregtohet në Shqipëri është Skënderbeu, i cili është liker shumë i mirë dhe bëhet nga alkoli i rrushit të pjekur. Konjaku Skënderbeu ka fituar disa çmime ndërkombëtare dhe eksportohet gjëresisht.

Fërnet

Fërneti është një aperitiv popullor i cili bëhet nga bimë të ndryshme, dhe i cili nuk ngjason aspak me shijen e Fërnet-Branka.

Rakia është pije alkoolike e cila zakonisht prodhohet në bodrumet shtëpiake në trevat e Ballkanit dhe shpesh ky term përdoret edhe për të gjitha pijet alkoolike. Me fillimin e industrializimit në trevat ballkanike shumë pije alkoolike që vijnë nga Ballkani e kanë marrë këtë emër duke e cituar llojin nga cili frut është nxjerur alkooli.

Si rezultat i klimës së përshtatshme mesdhetare Shqipëria është e njohur për kultivimin e rrushit dhe prodhimit e një varieteti verërash të kuqe dhe të bardha. Ndër më të përmendurat janë: Merlot, Kabërnet, Pinot Nero, Kallmet, Shesh i Zi, San Gioveze, Riesling, Shesh i Bardhë etj. Pija më tradicionale alkoolike është rakia e rrushit. Në disa zona të Shqipërisë prodhohet edhe rakia e kumbullës (Korçë, Dibër), ajo e manit (Boboshticë etj). Shqipëria është gjithashtu e njohur edhe për prodhimin e konjakut Skënderbej, i përmendur për shijen dhe aromën e tij. Konjaku shqiptar ka fituar gjithashtu edhe çmime ndërkombëtare.

Rakia i ka gjurmët në mijëvjeçarin e parë, në kohën e dyndjeve sllave, rreth viteve 600-700, kur gradualisht i zuri vendin verës. Kemi disa varjetete, si; rrush kumbulle, mareje, manafere dhe mani.

Prodhimi vendës në Shqipëri është zhvilluar, si; birra Tirana, Korça, vera Shesh, Kallmet, Serinë, Riesling, etj.

Rakia është një nga pijet e rralla që shqiptarët historikisht e kanë përdorur për të nderuar veten dhe mikun. Prandaj historitë për prodhimin e rakisë nuk kanë të sosur, aq sa nuk kanë të sosur dollitë dhe shëndetet që njerëzit kanë ngritur për njëri tjetrin, Fama e rakisë së rrushit në këtë zonë vjen nga shekuj që në kohën kur ajo pihej me opingë e deri tek pirja e saj me gota moderne.

Por qyteti i Skraparit është shquar për traditën e zierjes së rakisë ashtu si Rusia shquhet për vodkën e Italia për rumin. Kjo është aq e vërtet sa që në vitin 1950 në një panair ndërkombëtar që u mbajt në Rusi, rakia e Skraparit zuri vendin e parë.

Historia e birrës

Birra është pija alkoolike më e vjetër dhe më e njohur në botë. Ajo është konsideruar pija e tretë më e konsumueshme pas ujit dhe çajit. Shiten më shumë se 133 miliardë litra në vit. Prodhohet nga tharmëtimi i lëndëve me bazë niseshtenë, zakonisht elbi, megjithëse përdoren, ndër të tjera, edhe rrënjët e kasavës (Manihot esculenta) në Afrikë, patatja në Brazil dhe agavja në Meksikë. Vetëm pijet e prodhuara në këtë mënyrë mendohen të jenë birra të mirëfillta. Për shkak të përbërësve dhe ecurive të përdorura nga bërësit e birrës, birra mund të ndryshojë vetitë e saj në shije dhe ngjyrë. Birra është përmendur 6000 vjet para lindjes së Krishtit dhe është shkruar në historinë antike të Egjiptit dhe Mesopotamisë. Ajo u shpërnda në Europë nga gjermanët dhe keltët, duke mbetur pija e preferuar e europianëve. Birrat e para kishin në përbërjen e tyre: fruta, mjaltë, bimë të ndryshme, erëza, por edhe substanca që tashmë njihen si substanca narkotike.

Disa standarde perëndimore tashmë janë një realitet edhe në Shqipëri. Ndërkohë vlerësimet e këtyre standardeve nuk kanë munguar, si në rastin e "Birra Korça". Nuk është më një risi fakti që "Birra Korça" vlerësohet me çmime ndërkombëtare. Tani fama e këtij produkti cilësor i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Pak kohë më parë, në Frankfurt të Gjermanisë u zhvillua ceremonia e dorëzimit të çmimeve "Harku Internacional i Evropës". Me qindra kompani prestigjioze nga mbarë globi, prisnin të vlerësoheshin nga BID, organizatore e këtij evenimenti. Ndër ta ishte edhe "Birra Korça". Dhe lajmi i mirë erdhi, "Birra Korça" arriti të marrë çmimin "Harku Internacional i Evropës", përkatësisht në kategorinë "Diamant" krahas shumë kompanive të tjera botërore me investime kolosale, teknologji, shërbim dhe cilësi të standardeve të larta. Personalitete të botës së biznesit, pjesëmarrës në këtë eveniment, patën mundësi të njihen me arritjet e "Birra Korça", pasi të vlerësohesh me këtë çmim dëshmon për kualitete të veçanta. Presidenti i BID, Jose E. Prieto theksoi se "Birra Korça" ka përmbushur të gjitha standardet e kërkuara për të merituar vlerësimin e tyre. Kompania është vlerësuar në angazhimin në lidership, në teknologji dhe novacion, ka çmime konkurruese, duke u bërë kështu model i kompanive që operojnë në të njëjtin sektor.

Për BID emri i "Birra Korça" është më se i njohur, pasi dy vite më parë ajo e vlerësoi me çmimin "Quality Golden Crown", (Kurora e Artë e Cilësisë) në një ceremoni të mbajtur në Londër. Ky çmim jepej për të gjitha ato kompani të cilat prezantojnë një produkt cilësor në të gjitha parametrat e saj. Dhe "Birra Korça" është e tillë. BID, i cili vlerëson me çmime kompanitë simbol në cilësi, ka shtrirë aktivitetin e saj vlerësues në 178 vende të botës. Çmimi "Harku Internacional i Evropës" ka shkuar tek kompani me investime kolosale në 53 vende të botës, në Evropë, Amerikë, Afrikë dhe Azi, si shenjë e arritjeve të tyre në kulturën e cilësisë. Konventa e parë e BID është mbajtur në vitin 1975, duke krijuar një traditë të përvitshme në përzgjedhjen e atyre që e meritojnë çmimin e cilësisë.

Të punosh për cilësinë e lartë të një produkti, është shpërblimi më i madh që mund t'i bëhet konsumatorit, i cili beson në angazhimin serioz, që nga momenti që përzgjedh këtë produkt mes disa alternativave. As reklamat më të sofistikuara nuk arrijnë të kamuflojnë cilësinë e vërtetë nëse ajo nuk është me të vërtetë në nivelet e duhura. Prandaj dhe "Birra Korça" nuk ka kursyer asgjë për përsosjen e cilësisë së saj, si garancia më e madhe për të patur sukses në treg. Duke filluar që nga rikonstruksioni i fabrikës ekzistuese në Korçë, më pas me një teknologji të fjalës së fundit, por duke ruajtur edhe tiparet e birrës së dikurshme, ky produkt ka fituar sot besimin e konsumatorit dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve. Gjithashtu edhe mënyra e organizmit, politikat sociale, ruajtja e ambientit, cilësia e shërbimeve kanë qenë prioritete të kësaj sipërmarrjeje gjigante. Sot kur kompanitë shqiptare kërkojnë suksesin e tyre me mallra importi, "Birra Korça" ka treguar se edhe në Shqipëri mund të prodhohen produkte me parametra perëndimorë, falë punës dhe kërkesës në rritje për perfeksion në çdo drejtim. Nuk duhet harruar se një investim në Shqipëri si fabrika e "Birra Korça", është ndër të tjera edhe një kontribut i madh edhe në politikat e punësimit. Sot ajo ka arritur të fitojë certifikatën ISO 22.000 për cilësinë dhe garancinë e konsumatorit, si e vetmja kompani birre në Shqipëri dhe Ballkan që ka arritur ta fitojë këtë certifikatë. Më pas ka ardhur çmimi "Kurora e Artë e Cilësisë" dhe vetëm një muaj më parë, çmimi "Harku Internacional i Evropës", duke dëshmuar edhe një herë se një punë e madhe në drejtim të cilësisë, shpërblehet jo vetëm nga konsumatorët vendas dhe të huaj, por nuk mund të kalojë pa u vënë re edhe nga kompani të tilla si BID, të cilët përzgjedhin më të mirët e botës.

Birra Korça trefishon eksportet drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përfaqësuesit e kompanisë amerikane për Shqipërinë, për eksportin dhe distribucionin e birrës Korça drejt Amerikës, deklarojnë se tashmë kjo birrë preferohet në shumë shtete amerikane dhe kompania do të rrisë prodhimin për të plotësuar kërkesat.

Por në Shqipëri ka edhe pije të vendeve të ndryshme, dhe një nga këto pije është dhe rakia kineze, e cila sapo ka nisur të njihet nga konsumatori shqiptar.

Nga një intervistë në një ambjent lokal në kryeqytet ku shitet raki kineze Mou tai, i bëmë një intervistë kryekamarierit të këtij lokali. Le të dëgjojmë se cfarë thotë ai për shitjen e kësaj pije dhe sa preferohet ajo nga shqiptarët.

"Po është e vërtetë, tani ka filluar të preferohen edhe pijet alkoolike që vijnë nga Kina, përveç pajisjeve teknologjike tani në lokalet shqiptare mund të gjendet edhe pije alkoolike kineze. Kjo ka ardhur si pasojë e kërkesave të njerëzve që kanë marrëdhënie tregtare me Kinën dhe udhëtojnë shpesh drejt Kinës dhe janë kuriozë të kërkojnë dhe të provojnë përsëri edhe kur rikthehen në Shqipëri duke qenë se i lë një shije të mirë në Kinë kur provojnë rakinë atje. Ne kemi gjetur mundësinë të kemi këtë pije në lokalin tonë e cila duhet thënë që është e preferueshme dhe ka filluar të kërkohet.

Duhet të themi që jemi në fazën e njohjes si pije. Sapo kemi filluar ta shkruajmë dhe në menutë tona, por ata që e dinë e kërkojnë menjëherë.

Tani kemi nisur dhe proçesin që e shkrujmë në çdo menu dhe për ata që janë kuriozë të dinë çfarë është kjo raki e kërkojnë dhe e kanë pëlqyer.

Si çmim është e përballueshme pasi për njerëz që kanë dëshirë të shpenzojnë shuajnë kuriozitetin e tyre, e provojnë dhe kanë mbetur të kënaqur.

Ata që e lexojnë në menu dhe kërkojnë një informacion shtesë në lidhje me këtë raki, ne u sjellim një mostër të vogël që ta provojnë dhe çështë e vërteta kujt i kemi dhënë një mostër ta provojnë, ata kanë kërkuar edhe një gotë ta pinë".

Ndërsa një klient në restorantin kinez tek "1 Maji" shprehet se i pëlqen vera dhe rakia kineze. Ja se cfarë ka thënë ai për pijet alkoolike kineze.

"Për këtë verë kemi ardhur pasi na pëlqen shumë, çdo fundjavë vij me shoqërinë dhe familjen këtu dhe ia kalojmë mirë, ushqimi është shumë i mirë dhe vera është e mirë. Edhe raki kam provuar edhe ajo është shumë e mirë pasi jam një pijedashës dhe këtu kam gjetur veten time".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China