Kina dëshiron që qeveria siriane të forcojë bashkëpunimin me OKB-në, për të zbutur në mënyrë efikase tensionin e tanishëm dhe për të përmirësuar gjendjen humanitare në këtë vend. Kështu u shpreh të premten në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Liu Weimin.
Në fillim të këtij muaji, shefja për çështjet humanitare në Kombet e Bashkuara, Valeri Amos bëri një vizitë në Siri. Lidhur me këtë, Liu Weimin u shpreh se pala kineze mbështet rolin drejtues të OKB-së në koordinimin e ndihmave humanitare dhe dëshiron që Amos dhe qeveria siriane të arrijnë në konsensus.
Lidhur me situatën në Siri, Liu Weimin tha se pala kineze gjithmonë i kushton vëmendje gjendjes në Siri. Kina ka bërë përpjekje të përbashkëta me palët e ndryshme, me synim që të zbutet tensioni, duke ofruar edhe ndihma humanitare për popullin sirian.
Për ndërmjetësimin nga Kofi Anan, Liu Weimin shprehu përkrahjen nga pala kineze. Ai tha se pala kineze i kushton rëndësi përpjekjeve të Ananit dhe shpreson që qeveria siriane dhe palët përkatëse të bashkëpunojnë në mënyrë aktive dhe shpreson gjithashtu që komuniteti ndërkombëtar të japë ndihma konstruktive.
Liu Weimin ritheksoi qëndrimin e qeverisë kineze mbi çështjen e Sirisë. Ai tha se pala kineze respekton të drejtat e popullit sirian për zgjidhjen e sistemit politik dhe insiston që të zgjidhet me paqe ky problem nëpërmjet rrugëve politike.(Jiang Lei/Albana)