Diplomatët perëndimorë në OKB njoftuan se i dërguar i posaçëm, Kofi Anan do të informojë Këshillin e Sigurimit për vizitën e tij të fundit në Siri, nëpërmjet një videokonference. Raporti i Ananit, konsiderohet si i rëndësishëm për masat që do të marrë OKB-ja për Sirinë.
Anan shpërndau një njoftim për shtyp në Gjenevë, ku thotë se qeveria siriane është përgjigjur për propozimet e paraqitura gjatë takimit të Anan me presidentin Bashar al-Assad. Por Anan thotë se ka ende disa paqartësi për përgjigjet dhe shtoi se po pret shpjegime të mëtejshme nga qeveria siriane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë, Jihad Makdissi tha të mërkurën se Damasku ka përgjigje pozitive dhe objektive për propozimet e Ananit dhe shtoi se përgjigjet e palës siriane nuk janë vetëm "po" ose "jo", pasi kriza e Sirisë është e ndërlikuar dhe komplekse.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite njoftoi të mërkurën mbylljen e ambasadës së saj në Siri dhe tërhoqi të gjithë diplomatët. Edhe Ministria e Jashtme e Italisë pezulloi punën e ambasadës së saj dhe filloi të tërheqë punonjësite misionit diplomatik. (Çang Çuo/ Ardi Pulaj)