Përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore Ali Asghar Soltanieh tha të martën në Vjenë se vendi i tij do të lejojë inspektimin nga ekspertë të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të bazës ushtarake të Parçinit, që ndodhet 30 kilometra në juglindje të Teheranit.
Në një letër përgjigjeje po atë ditë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Catherine Ashton dërguar kryepërfaqësuesit të Iranit Saeed Jalili në bisedimet për problemin bërthamor, thuhet se ShBA-ja, Rusia, Britania, Franca, Kina dhe Gjermania dëshirojnë të rifillojnë bisedimet me Iranin mbi problemin bërthamor, por për kohën dhe vendin e bisedimeve duhet të diskutohet nga të dyja palët. Ajo shpreson se pala iraniane do të vazhdojë të zhvillojë dialog konstruktiv me këto gjashtë vende dhe do të arrijë përparime konkrete. Catherine Ashton thekson po ashtu se Irani duhet të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Liu Weimin tha më 7 mars në Pekin se përmbajtja e letrës së BE-së për Iranin në emër të gjashtë vendeve është një përparim pozitiv gjatë procesit të zgjidhjes së problemit bërthamor të Iranit me dialog e bisedime. Kina e mirëpret një gjë të tillë dhe do të nxitë bashkë me pesë vendet e tjera rifillimin e bisedimeve me Iranin. (Çang Çuo/Artani)