Ditët e fundit një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës publikoi një deklaratë, ku shtjellohen propozimet politike të palës kineze për zgjidhjen e problemit sirian. Gjithashtu, më 5 mars në Pekin zëdhënësi i kësaj ministrie Liu Weimin u shpreh se kjo bëhet nga njëra anë për të siguruar sa më shumë konsensus ndërkombëtar dhe nga ana tjetër për të ofruar disa ide dhe mënyra konkrete lidhur me zgjidhjen e krizës në Siri.
Kështu, për shembull, propozohet një institucion asnjanës i pranuar nga OKB-ja dhe palët e ndryshme për të bërë një vlerësim objektiv dhe të gjithanshëm të gjendjes humanitare në Siri, duke garantuar dërgimin dhe shpërndarjen e materialeve të ndihmës humanitare. Pala kineze dëshiron t'i japë popullit sirian ndihmë humanitare dhe përkrah fillimin e menjëhershëm të dialogut politik ndërmjet qeverisë siriane dhe fraksioneve të ndryshme me ndërmjetësimin e paanshëm të të dërguarit të posaçëm të përbashkët të OKB-së dhe Lidhjes Arabe.
Gjithashtu pala kineze u shpreh se konsultimet e zhvilluara nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për zgjidhjen e krizës në Siri me mjete politike duhet të jenë të barabarta dhe të plota, gjë që është në të mirë të ruajtjes së unitetit të këtij organizmi.
Liu Weimin-i deklaroi gjithashtu se ambasadori Li Huaxin do të bëjë më 6 dhe 7 mars një vizitë në Siri si i dërguar i ministrit të Jashtëm kinez Yang Jiechi. Ai do të shkëmbejë mendime me përfaqësues të qeverisë siriane dhe të palëve të tjera mbi gjendjen e tanishme në Siri, e veçanërisht mbi gjashtë propozimet për zgjidhjen e problemit sirian në rrugë politike. (U Sen/Artani)