Në raportin e punës së qeverisë të mbajtur në sesionin e 5-të të legjislaturës së 11-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës, kryeministri kinez Wen Jiabao u shpreh se, megjithëse përballet me shumë vështirësi dhe sfida, ekonomia e Kinës ka një bazë pozitive. Sipas tij, ulja e ritmeve të rritjes së ekonomisë kineze synon arritjen e një zhvillimi më të mirë të saj.
Kryeministri Wen u shpreh gjithashtu se tani Kina ndodhet në një fazë të rëndësishme strategjike të zhvillimit dhe ka mjaft kushte të mira për mbajtjen e rritjes së qëndrueshme të ekonomisë në një periudhë afatgjatë. Industrializimi, urbanizimi dhe modernizimi i bujqësisë po ecin shpejt, përmirësimi i strukturës së konsumit mund të nxisë një kërkesë të brendshme më të madhe dhe është shtuar dukshëm aftësia konkurruese dhe e përballimit të rreziqeve e ndërmarrjeve. Po ashtu, ka pasur rritje të aftësisë inovative e të zhvillimit në krahinat lindore të vendit, ekonomia kineze ka ruajtur traditën dhe epërsinë e saj, bilanci fiskal është mbajtur në ekuilibër dhe sistemi financiar funksionon siç duhet.
Numri një i qeverisë kineze vuri në dukje se ulja e objektivit për rritjen e GDP-së bëhet për t'i fokusuar të gjitha punët në ndryshimin dhe ngritjen e cilësisë së mënyrës së zhvillimit ekonomik. (Wang Xianya/Artani)