Kryeministri i Greqisë Lukas Papademos po nxit miratimin përfundimtar të marrëveshjes mbi këstin e dytë të kredisë së ndihmës për vendin e tij. Ai u takua me kolegët e vet europianë në Bruksel, duke u përpjekur ta zhvendosë fokusin nga kursimi te rritja ekonomike në Greqi. Kreu i qeverisë helene theksoi:
"Ka një nevojë të ngutshme për të plotësuar politikat dhe reformat e përfshira në programin e dytë ekonomik për Greqinë me masa konkrete dhe veprime të tjera ndihmëse, të cilat mund të kenë një ndikim të menjëhershëm e pozitiv në veprimtarinë ekonomike e punësimin, dhe gjithashtu mund të ndihmojnë për të trajtuar pasojat shoqërore të përpjekjeve për rregullime. "
Ndërsa kryetari i Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso u shpreh:
"Ne duam ta shfrytëzojmë këtë moment për ta ndihmuar ekonominë greke të vihet përsëri në lëvizje. Besoj se ky është çasti i duhur për ta shtuar punën tonë për rritjen ekonomike të Greqisë".
Megjithatë, kryetari i Eurogrupit Jean-Claude Junker thotë se më parë BE-ja do të shtojë kontrollin mbi ekonominë e brishtë greke për t'u siguruar se ajo do t'i përmbushë objektivat lidhur me planin e ri:
"Ne përforcuam mekanizmat e mbikëqyrjes në Greqi jo për të poshtëruar, por për të ndihmuar, duke siguruar në të njëjtën kohë burime shtesë njerëzore në dispozicion të grupit të punës të Komisionit Evropian."
Masat shtrënguese të qeverisë greke po vazhdojnë të nxitin protesta në rrugët e qyteteve kryesore të vendit.
Kriza e borxheve që u shfaq në Greqi më shumë se dy vjet më parë, i ka detyruar Irlandën e Portugalinë të marrin kredi ndihme ndërkombëtare dhe po rrezikon të përhapet edhe në ekonomitë shumë më të mëdha të Spanjës dhe Italisë. (Artani)