Kina dhe Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se kanë arritur një marrëveshje për të rritur ndjeshëm numrin e filmave amerikanë që lejohen të shfaqen në kinematë kineze. Marrëveshja u njoftua pas përfundimit të vizitës së nënkryetarit kinez të shtetit Xi Jinping në ShBA.
Tani për tani Kina lejon shfaqjen e 20 filmave të huaj në vit në kinematë e saj, por ka rënë dakord edhe për një shtesë prej 14 "filmash të cilësisë së lartë" të formatit 3D ose IMAX. Gjithashtu, marrëveshja parashikon rritjen nga 13 % në 25 % të kuotës së fitimeve të studiove të huaja kinematografike.
Kineastët kinezë e kanë mirëpritur lajmin dhe shprehen se nga një gjë e tillë do të përfitojnë jo vetëm dashamirësit kinezë të filmit, por edhe kineastët vendës, të cilët do të kenë më shumë mundësi të mësojnë nga konkurruesit e tyre të huaj. (Artani)