PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Ndahet nga jeta në moshën 48 vjeçare Whitney Houston
2012-02-12 20:56:40 cri komenti juaj Printoni

Këngëtarja dhe aktorja e njohur amerikane, Whitney Houston u nda nga jeta në moshën 48 vjeçare. Lajmi u bë i ditur nga menaxherja e saj.

Sipas njoftimeve të mediave, trupi i pajetë i Houston u zbulua nga producenti i muzikës, Clive Davis në hotelin "Hilton" në Beverly Hills, në Kaliforni.

Autoritetet po bëjnë hetimet për të zbuluar shkaqet e vdekjes.

Whitney Houston gjendej në Los Anxheles për të nderuar karrierën muzikore të Davis. Këngëtarja kishte performuar dhe foli me gazetarët më herët gjatë javës. Sipas njoftimeve të mediave, Houston është parë duke festuar nëpër lokale të ndryshme dhe se ishte në një gjendje jo të mirë dhe e veshur keq.

Menjëherë pas publikimit të lajmit për vdekjen e saj, shumë këngëtarë dhe personalitete të shquara të artit dhe kulturës, thanë se ishin të shokuar si dhe shprehën keqardhjen për humbjen e një ylli si Whitney Houston.

"Ndjej keqardhje dhe nuk mbaj dot lotët pas lajmit për vdekjen e mikes sime, të pakrahasueshmes Whitney Houston", shkroi në Twitter këngëtarja Mariah Carey.

Ndërsa një nga këngëtarët më të rinj të skenës muzikore ndërkombëtare, Justin Bieber shkroi po në "Twitter": "Një nga zërat më të mirë të të gjitha kohërave, ka ndërruar jetë. Prehu në paqe, Whitney Houston", shkroi Bieber.

Whitney Houston ishte një këngëtare e nderuar me shumë çmime, aktore, producente dhe ish modele, e njohur me këngën e saj "I Will Always Love You" (Do të të dua gjithmonë), që inspiroi më pas xhirimin e filmit "The Bodyguard" (Truproja) në vitin 1992.

Ajo njihej edhe për hite të tjera muzikore si "How Will I Know" (Si do ta marr vesh) dhe "Saving All My Love for You" (Po e ruaj të gjithë dashurinë për ty).

E cilësuar si "Mbretëresha e Popit", Houston është një nga këngëtaret me më shumë shitje të disqeve në botë; me 170 milionë albume dhe hite.

Houston gjatë jetës së saj ka pasur një histori të dhimbshme abuzimi me drogën dhe alkoolin. Në 2004, ajo hyri për herë të parë në një klinikë rehabilitimi. Një veprim që u përsërit disa herë. Ndërsa së fundi, në mars 2011, ajo hyri sërish në rehabilitim për të trajtuar problemin e saj me drogën dhe alkoolin.

Disa nga koncertet e turneut të fundit muzikor u anulluan për shkak të gjendjes jo të mirë.

Whitney Houston la pas fëmijën e saj të vetëm Bobbi Kristina, që e lindi kur ishte e martuar me këngëtarin Bobby Brown. (Ardi Pulaj)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China