Pas takimit me presidentin e Sirisë Bashar al-Asad në Damask, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov bëri thirrje për zgjidhjen e krizës siriane duke u mbështetur në nismat e Lidhjes Arabe. Ai tha:
"Presidenti i Sirisë më siguroi se ai është plotësisht i përkushtuar për t'i dhënë fund dhunës, ngado që vjen ajo."
Kreu i diplomacisë ruse bëri gjithashtu thirrje për kthimin e vëzhguesve të Lidhjes Arabe:
"Rusia është e bindur në domosdoshmërinë e ruajtjes dhe të zgjerimit të misionit, i cili është në vetvete një faktor i rëndësishëm stabilizues në Siri."
Edhe pala kineze po mendon të çojë diplomatët e vet në rajon. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Liu Weimin shprehet:
"Kohët e fundit jemi duke shqyrtuar mundësinë e dërgimit të njerëzve në Afrikën e Veriut, për të luajtur një rol aktiv e konstruktiv në nxitjen e një armëpushimi dhe në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Siri."
Në të njëjtën kohë, bashkësia ndërkombëtare po e shton mjaft trysninë mbi Sirinë. Vendet arabe të Gjirit po i dëbojnë ambasadorët sirianë dhe po i thërrasin të dërguarit e tyre nga Damasku. Edhe disa vende europiane i kanë tërhequr ambasadorët e tyre nga Siria në shenjë proteste, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë mbyllur tashmë ambasadën e tyre në Damask. (Artani)