Pekini zyrtar shprehu keqardhje për mosarritjen e unanimitetit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u rrëzua projektrezoluta mbi Sirinë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Liu Weimin, tha se pala kineze mori pjesë aktivisht në konsultimin e projektrezolutës, por ai shprehu keqardhje që vendet propozues nxitën votimin pa u arritur më herët një marrëveshje.
"Kina i kushton gjithmonë vëmendje zhvillimit të situatës në Siri dhe u bën thirrje palëve të ndryshme të ndalojnë përdorimin e dhunës dhe sidomos të shmangin vdekjen dhe plagosjen e civilëve të pafajshëm. Të rivendoset sa më shpejt rendi dhe të respektohen kërkesat e popullit sirian për reforma. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet që ka bërë Lidhja Arbe për zgjidhjen e çështjes së Sirisë dhe ruajtjen e stabilitetit rajonal."
Nxitja e votimit sipas Liu, nuk është në favor të unitetit dhe autoritetit të Këshillit të Sigurimit e as nuk i shërben zgjedhjes së krizës siriane.
"Ne mendojmë se veprimet e Këshillit të Sigurimit mbi çështjen e Sirisë duhet të përputhen me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së. Veprimet duhet të jenë në favor të zbutjes së gjendjes së tensionuar në Siri, nxitjes së dialogut politik, zgjidhjes së divergjencave në favor të stabilitetit dhe paqes rajonale."
Votimi për projektrezolutën u krye të shtunën më datën 4 shkurt, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia dhe Kina vendosën veton kundër saj.
Liu Weimin vuri në dukje se Kina dëshiron të luajë një rol pozitiv dhe konstruktiv në zgjidhjen e çështjes së Sirisë bashkë me komunitetin ndërkombëtar në mënyrën e duhur. (Wang Xianya)(Leftion Peristeri)