Ministri gjerman i Financave Volfgang Shojble (Wolfgang Schäuble)paralajmëroi se Eurozona mund të mos pranojë t'i ofrojë një plan të ri shpëtimi Greqisë, nëse kjo e fundit nuk arrin ta bindë Evropën se mund ta riparojë shtetin dhe ekonominë e vet.
Ai i tha këto pas kundërshtimit nga Greqia të propozimit gjerman për një mbikëqyrje më të madhe europiane të Athinës në këmbim të ndihmës.
Zyrtarët gjermanë hodhën javën e kaluar idenë për emërimin e një "komisionari buxheti" europian me fuqi vetoje mbi shpenzimet e Greqisë.
Ministri grek i Kulturës Pavlos Jerulanos thotë se do të ishte "e pamundur" për Greqinë të hiqte dorë nga kompetencat mbi taksat dhe shpenzimet.
Ka shqetësime se masat e Greqisë për të ulur deficitin e vet buxhetor nuk janë të mjaftueshme.
Ndërkohë, Greqia dhe kreditorët e saj privatë janë afër arritjes së pakësimit me rreth 50 % të borxhit të vendit. Kreditorët privatë thonë se një marrëveshje për këtë ka gjasa të arrihet këtë javë.
Udhëheqësit e Europës janë mbledhur sot në Bruksel në një samit të BE-së për të diskutuar edhe një herë se si të përballohet kriza në rritje e borxheve. (Artani)