Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se sanksionet e Bashkimit Europian për naftën iraniane nuk kanë shkaktuar probleme në ekonomi.
"Vendet perëndimore shkaktojnë probleme me aleancat e huaja. Ata përpiqen të vendosin sanksione të ashpra dhe thonë se ekonomia iraniane po përballet me probleme. Ku i shihni ju problemet?", tha Ahmadinexhad.
Deklarata e Ahmadinexhad u bë gjatë vizitës në një uzinë në qytetin e Kermanit.
27 vendet anëtare të BE-së më herët gjatë javës ranë dakord që të vendosin embargo ndaj naftës iraniane. Teherani thotë se afati kohor i BE-së prej gjashtë muajsh për të zbatuar sanksionet, tregon për vështirësinë në ndalimin e furnizimeve me naftën iraniane, teksa Europa përballet me vështirësitë ekonomike si pasojë e krizës së borxheve.
BE-ja ështe importuesja e dytë më e madhe e naftës së Iranit, pas Kinës.
Sanksionet e BE-së dhe të SHBA janë më të ashprat e vendosura deri më tani, si formë presioni ndaj Teheranit për të ndaluar programin bërthamor. (Ardi Pulaj)