Revista "The Economist" i ka dedikuar një shkrim shqiptarëve që jetojnë në Greqi, të cilët të shqetësuar nga kriza që ka përfshirë vendin, po kthehen në vendlindjen e tyre.
Është koha e drekës dhe fëmijët dalin nga klasat e shkollës në Selanik. Prindërit që i presin duken të shqetësuar teksa flasin me mësuesen Valbona Hystuna. Të rriturit flasin shqip, ndërsa fëmijët flasin greqisht me njëri-tjetrin. Shumë prej të vegjëlve nuk kanë njohuri për Shqipërinë. Por kriza në Greqi, po i detyron familjet e tyre të rikthehen në atdhe.
Rregjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregoi se Shqipëria ka 2.8 milionë banorë, disa qindra-mijëra më pak nga ajo që pritej dhe 7.7% se një dekadë më parë. Të paktën 1.4 milionë besohet se kanë emigruar në 20 vitet e fundit, më shumë se gjysma e kësaj shifre, në Greqi. Por tani shqiptarët e papunë kanë nisur të kthehen në Shqipëri. Shumë burra punojnë në ndërtim, sektor që tani është në stanjacion në Greqi.
Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto thotë se vetëm pak janë rikthyer. Megjithatë zonja Hystuna shprehet se shumë persona janë larguar dhe shumë të tjerë po planifikojnë të bëjnë një gjë të tillë. Në të shkuarën shumë shqiptarë jetonin dhe punonin në Greqi ilegalisht, por shumë prej tyre tani kanë leje-qëndrimi. Por ata që humbasin vendin e punës, mund të humbasin dhe leje-qëndrimin, duke u detyruar të kthehen në shtëpi ose të qëndrojnë ilegalisht.
Shqiptarët janë integruar mirë në Greqi. Fëmijët flasim më mirë greqishten se sa shqipen dhe shumicës i nevojiten kurse gjuhe përpara se të rikthehen në atdhe. Por, zonja Hystuna thotë se grekët mund t'a bëjnë jetën të vështirë. Prindërit e shqetësuar me të cilët po fliste i thanë se autoritetet greke, papritmas, insistonin se dokumentat shqiptare për fëmijët e tyre të lindur në Greqi, janë të papranueshme, pasi në shqip emërtimi për Selanikun, është i ndryshëm nga ai në greqisht.
Ashtu si me numrin e emigrantëve edhe remitancat (paratë që dërgojnë emigrantët në atdhe) janë të vështira që të përllogariten. Por gjithsesi ka pasur një rënie. Në vitin 2007 emigrantët dërguan në atdhe rreth 950 milionë Euro. Në 2010, shifra u ul në 690 milionë Euro, ndërsa për tre pjesët e para të vitit 2011 ishte 475 milionë Euro. Në 2009, remitancat përbënin 9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. Gjithsesi, ekonomia, ndryshe nga Greqia, nuk ka kaluar në recesion dhe pritet që rritja ekonomike për 2011 të përllogaritet në 2.5%.
Shumë shqiptarë në Greqi po transferojnë kursimet në bankat e vendlindjes nga frika se çfarë mund të ndodhë në Greqi nëse vendi vendos të mos jetë më pjesë e Euros. Disa kompani greke gjithashtu kanë nisur të hapin filialet në Shqipëri, të cilat i kanë lënë në duart e besuara të shqiptarëve që më parë kanë punuar për ta në Greqi. Deri tani, efektet e të qënit një ekonomi e vogël me një varësi të madhe nga Greqia e prekur nga recesioni dhe Italia, kanë qënë negative, por jo fatale. Gjithsesi, teksa shumë shqiptarë rikthehen në atdhe, ata do të gjejnë punë (dhe paga të kënaqshme). (Ardi Pulaj)