Kina dëshiron t'i vijë në ndihmë Eurozonës nëpërmjet FMN-së. Kryetari kinez Hu Jintao i kërkoi drejtores menazhuese të FMN-së Christine Lagarde të marrë masa efikase për të dhënë më shumë përkrahje dhe ndihmë për rifitimin e besimit në tregje.
Takimi me kreun e FMN-së erdhi në prag të samitit të G20-ës, prej të cilit Kina shpreson të japë një sinjal të qartë të ruajtjes së rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar.
Përveç Lagarde-it, kryetari i shtetit i Kinës Hu Jintao zhvilloi takime para të Samitit të G20-ës në Kanë edhe me presidentin francez Nikolas Sarkozi, si edhe me presidenten e Brazilit Dilma Rousseff. Temë e këtyre takimeve ka qenë bashkëpunimi ndërkombëtar në kuadrin e G20-ës dhe situata financiare në Eurozonë.
Gjatë takimit me homologun e vet francez, Hu Jintao theksoi besimin te Evropa dhe te aftësia e saj për zgjidhjen e plotë të krizës së borxheve. Ndërsa presidenti Sarkozi ripohoi angazhimin e Evropës për zgjidhjen e krizës së borxheve. Ai shprehu gjithashtu gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit me komunitetin ndërkombëtar. Zoti Sarkozi çmoi rolin e Kinës dhe shprehu dëshirën për të mbajtur kontakte të ngushta me të.
Kina dhe Brazili, si ekonomi të reja, kanë nevojë të forcojnë koordinimin dhe bashkëpunimin. Kjo ishte tema e bisedës së kryetarit kinez Hu Jintao me presidenten braziliane Dilma Rousseff. Sipas tij, bashkëpunimi është i rëndësishëm duke parë gjendjen e tanishme ekonomike e monetare të botës. (Du)