Ekspozite e perbashkët në "DidArt"
Vjeshta vjen ndryshe në galeri "DidArt". Tre piktorë të njohur të artit pamor shqiptar Adrian Çene, Shkëlqim Kokonozi dhe Aleksandër Dragoti vijnë së bashku në një ekspozitë. Adrian Çene prezantohet para artdashësve me 4 piktura në gjininë e kompozimit, piktura të realizuara gjatë verës që po lëmë pas. Në qendër është figura e femrës, por e ndërthurur me peizazhin e bregdetit shqiptar. Ndërsa piktori Shkëlqim Kokonozi vjen me 5 peizazhe të abstraguara, veçori e përhershme në pikurat e tij, ku peizazhi shihet nga një këndvështrim i veçantë dhe po ashtu është dhe mesazhi që përcjell ai. Po me pesë peizazhe të abstraguara prezantohet dhe piktori tjetër Aleksandër Dragoti. Veçori e punëve të tij është përdorimi i ngjyrave të forta dhe ndërthurja e tyre. Punët e realizuara në vaj në kanavacë janë realizuar gjatë vitit 2011 dhe prezantohen për herë të parë për publikun. Të tre piktorët spikasin për veçoritë në artin e tyre, por në këtë ekspozitë veprat vijnë të kombinuara si një e vetme. Ajo që i bashkon punët është realizimi i arrirë artistik, moria e ngjyrave të përdorura dhe emocioni që përcjellin tek artdashësit. Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 14-30 shtator. (Gazmend Agaj)