Ditën e enjte, në dyqanin e AMC-së tek rruga "Myslym Shyri", janë bërë të njohur fituesit e Konkursit të Fotografisë me celular What's Up. Ky është viti i tretë që kompania AMC organizon një konkurs për fotografitë e realizuara me celular duke nxjerrë në pah fuqinë komunikuese dhe krijuese të aparateve celular. Më shumë se 400 fotografi u dërguan për të marrë pjesë nga fotografë entuziastë nga e gjithë Shqipëria si edhe nga shqiptarë që jetojnë jashtë. Fotografitë e këtij edicioni u strukturuan në kategoritë: Foto-gazetari, Peizazh, Jetë studentore / shkollore, Sociale si edhe në një kategori të veçantë për fotot që nuk përfshihen në kategoritë e tjera. Për secilën nga kategoritë u dha një çmim për fotografinë më të mirë. Çmimin e parë, si fotografia më e mirë e këtij edicioni, e fitoi fotografia e dërguar nga Alba Canaj. Ndërsa fotot që u shpallën nga juria si foto fituese për secilën nga kategoritë u realizuan nga Fatos Hakorja, Dorina Lekaj, Megi Nikolla, Besfort Kryeziu dhe Ada Shkurtaj. Ashtu siç është njoftuar edhe më parë, çmimi i madh për fituesin e këtij edicioni ishte i famshmi iPhone 4 ndërsa fituesit e tjerë morën nga një Motorola Defy Black. Të gjitha fotografitë ishin momente nga jeta e përditshme duke përfshirë foto nga pjesë të ndryshme gjeografike të Shqipërisë, këndvështrime të ndryshme të situatave sociale dhe eksperienca personale.(Gazmend Agaj)