Etnomuzikali "Rituali i jetës" i pari i këtij lloji i realizuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit shpalosi nëpërmjet baletit modern dhe traditës shqiptare momentet më dramatike të jetës njerëzore. "Rituali i jetës" për tre net, erdhi para publikut si një shfaqje e përsosur artistikisht, ndërsa bashkoi një trupë profesioniste të trupës së baletit të TOB me solistët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, që sollën para publikut ritualin shqiptar përmes një zinxhiri ritesh. Këtë herë para publikut erdhi një shfaqje, e cila e kaloi provën e suksesshme me publikun, duke qenë premiera e një muzikali bazuar në folklorin shqiptar. Ngjarjet erdhën të përmbysura, nisën me mortin dhe përcollën traditën shqiptare. Zakonet dhe tradita shqiptare, veshjet e vajet, u shprehën nëpërmjet koreografisë së Arian Sukniqit. Jeta në këtë muzikal vijoi me një ceremoni dasme me elementet, që e karakterizojnë dhe muzikë të bazuar në folkun shqiptar. Krahas koreografisë së veçantë, "Rituali i jetës" u shoqërua nga muzika e kompozuar me kujdes nga Klodian Qafoku. Sipas kompozitorit, këto nota u krijuan pas disa kërkimesh në arkivin etnomuzikor shqiptar. Vepra që mban titullin "Rituali i jetës" këtë herë si një muzikal që ndërthur folklorin shqiptar me elemente bashkëkohore, ishte ideuar nga mjeshtri Zhani Ciko. (Gazmend Agaj)