Përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurosong në maj të këtij viti Aurela Gace, pasi ka vizituar Stambollin, është nisur drejt Greqisë, për të promovuar këngën e saj "Feel the passion". "OGAE Greece" ka qenë e para që e ka pritur artisten shqiptare në Athinë. Anëtarët e klubit të fansave patën shansin të bisedojnë dhe të shkëmbejnë ide mbi konkurrencën në Eurovision me Aurelën. Dje në mbrëmje, Aurela i dha një intervistë revistës javore ERT ashtu si edhe uebsaitit "OGAE Greece". Greqia është ndalesa e dytë e Gaçes në turin e saj promocional. Ndalesa e parë e saj ishte Stambolli në Turqi. Pak ditë më parë, një ndër gazetat më të suksesshme gjermane "Bild Zeitung" teksa shkruan për konkursin më të madh europian të këngës "Eurosong", shkruan se një ndër katër konkurrentët më të fortë për këngëtaren e tyre është, Aurela Gaçe. Ndërsa ethet e konkursit kanë filluar, Aurela nga ana e saj i ka mbledhur forcat dhe ka realizuar versionin e fundit të këngës. (Gazmend Agaj)