Dy artistët e njohur shqiptarë, të ftuar në stinën koncertore të Orkestrës Simfonike të RTSH
Në kuadrin e aktiviteteve të "Stina Koncertore 2010-2011" në Akademinë e Arteve u zhvillua koncerti i pianistes Dhurata Lazo me Orkestrën Simfonike të RTSH. Koncerti u zhvillua nën drejtimin e dirigjentit të njohur shqiptar Ermir Krantja. Në program u luajtën vepra nga kompozitori i njohur shqiptar Çesk Zadeja, koncert për piano e orkestër Rimsky-Korsakov, po ashtu u interpretuan dhe pjesë nga triptiku rus opera "Mlada", P.I.Tchaikovsky, Zemër e vonuar, romancë orkestruar nga Ermir Krantja. Nuk mungoi dhe pjesë nga krijimtaria e emrit të njohur Frederik Chopin, Andante Spianato e Grande Polonese op.22, Benjamin Britten, variacione dhe fuga mbi një temë të Henri Purcell. Pianistja e njohur shqiptare zgjoi sërish emocione me koncertin në skenën e arteve, duke përcjellë tek publiku edhe tingujt e bukur të veprave muzikore. E veçanta e koncertit ishte dhe dirigjimi, i cili solli Ermir Krantjen në skenën e arteve. Artisti sot është një nga emrat më të njohur të muzikës, i cili zhvillon një aktivitet të ngjeshur muzikor larg skenës shqiptare. Dyshja e artistëve shqiptarë Lazo dhe Krantja për disa minuta sollën në skenën e koncerteve një atmosferë të ngrohtë dhe të këndshme nën tingujt e muzikës simfonike. E ndërkohë që në vijim të stinës koncertore do të vijnë dhe emra të tjerë të njohur si dirigjenti Alqi Lepuri, që vjen në skenën e koncerteve në datë 11 shkurt me krijimtarinë e Aleksandër Peçit, Sokol Shupos si dhe do të jetë i ftuar edhe Fatos Qerimi. (Gazmend Agaj)