Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Emigrantëve, William Lacy Swing e vlerësoi lart temën kryesore të EXPO-s "Qyteti më i mirë, jeta më e mirë":
"Jemi krenarë për zhvillimin e Ekspozitës Botërore në Shangai të Kinës. Tani në mbarë botën, lëvizja e popullsisë është bërë më e shpeshtë dhe çdo vit ka rreth 21.4 milionë emigrantë të vendeve të ndryshme. Shumica prej tyre vijnë në qytet për të kërkuar punë, prandaj 'Qyteti më i mirë, jeta më e mirë' është një temë kryesore shumë e gjetur."
Politikanë të vendeve të ndryshme i kushtojnë shumë rëndësi hapjes së pavijonit të vendit të vet në EXPO. Në ditën e hapjes së pavijonit kombëtar të SHBA-së, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hilari Klinton shprehu në një konferencë shtypi shpresën se Ekspozita Botërore e Shangait do të nxisë më tej zhvillimin e marrëdhënieve amerikano-kineze.
Kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso dhe shumë politikanë të tjerë evropianë morën pjesë në ceremoninë e hapjes së pavijonit Belgjikë-BE. Barroso tha:
"Kjo është hera e parë e pjesëmarrjes së Bashkimit Evropian në EXPO të zhvilluar jashtë vendeve të këtij bashkimi. Kjo shënon që Bashkimi Evropian u kushton shumë rëndësi marrëdhënieve të partneritetit strategjik me Kinën."
Për ditë me radhë, media të huaja kanë njoftuar me faqe të tëra mbi Ekspozitën Botërore të Shangait. Gazeta japoneze "Yomiuri Shimbun" botoi një artikull ku thuhej se kjo është hera e parë që Ekspozita Botërore zhvillohet në një vend në zhvillim dhe Kina shfaq në këtë ekspozitë prirjen e zhvillimit drejt shekullit të 21-të.
Gazeta tjetër japoneze "Asahi Shimbun" botoi një kryeartikull ku shkruhej se e ardhmja e botës ka lidhje të ngushtë me të ardhmen e Kinës dhe Ekspozita Botërore e Shangait duhet të jetë një skenë e njohjes së vendeve të ndryshme me njeri-tjetrin.
Gazeta holandeze "NCR" komentoi se Ekspozita Botërore e Shangait shfaq gjallërinë e Kinës dhe vendosmërinë e kinezëve për zhvillim. (Fani)(Albana)