20160316likeqiang |
Presidenti kinez Xi Jinping hyri në sallën e Pallatit të Madh të Popullit i ndjekur nga kryeministri Li Keqiang, në prani të afro 3,000 delegatëve.
Kreu i Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore Zhang Dejiang lajmëroi fundin e sesionit vjetor, që votoi një sërë ligjesh të rëndësishme dhe mori propozime nga delegatët.
Delegatët miratuan një seri dokumentesh të rëndësishëm, përfshirë raportin e punës së qeverisë, planin kombëtar të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror dhe buxhetin qendror.
"Arritja më e madhe e këtij sesioni është miratimi i Planit të 13-të Pesëvjeçar për ekonominë kombëtare dhe zhvillimin shoqëror," tha Zhang në ceremoninë e mbylljes.
Kryeministri Li Keqiang e mori fjalën në fund të sesionit kur doli përpara gazetarëve. Ai u zotua të çojë përpara rigjallërimin e ekonomisë dhe tregjeve financiare pavarësisht ngadalësimit ekonomik, ndërsa nënvizoi se borxhi në rritje i vendit është në kontroll.
"Kemi besim të plotë në të ardhmen e ekonomisë së Kinës. Besimi ynë nuk mbështetet mbi arsyetime joserioze. Ne ndihemi aq të sigurt sepse besojmë se për aq kohë sa ndjekim rrugën e reformës dhe të hapjes, ekonomia e Kinës nuk do të vuajë një rënie të fortë. Sepse kemi ende potencial të pamasë në tregun tonë të madh. Ka kreativitet i madh në mesin e popullit tonë. Ndërkohë qeveria është ende duke u vetëkorrigjuar në disa aspekte të veprimtarisë ekonomike, e cila ka penguar zhvillimin e produktivitetit e në të njëjtën kohë nuk ka punuar sa duhet për të siguruar veprimin e tregut."
Duke folur në konferencën e shtypit të mërkurën Li, tha se qeveria është besimplotë për të tkurrur industritë e fryra të çelikut dhe të qymyrit, duke përmbushur objektivin e rritjes nga 6.5 në 7 për qind.
Ai gjithashtu premtoi lehtësi për biznesin privat.
"Unë besoj se reforma do të nxisë më tej gjallërinë e tregut dhe krijimtarinë e publikut. Me urtësi dhe me punën e palodhur të popullit tonë, do të jemi në gjendje për të përballuar presionin e rënies (ekonomike)."
I pyetur në lidhje me paqartësitë në marrëdhëniet me Tajvanin, Li tha se pjesa kontinentale do të vazhdojë të punojë në favor të bashkëpunimit ekonomik tregtar, me kushtin paraprak të njohjes së Konsensusit të vitit 1992, që njihet edhe si "Politika e Një Kine".
Ndërsa në lidhje me Hong Kongu-n, Li tha se qeveria qendrore do të vazhdojë të punojë për stabilitetin dhe përparimin afatgjatë të rajonit.