20150924xi-boeing |
Seattle-Presidenti Xi viziton "Boeing", "Microsoft" dhe takon biznesmenë
Gjatë qëndrimit në Seattle të SHBA-së, presidenti i Kinës Xi Jinping vizitoi të mërkurën kompaninë "Boeing" dhe selinë e "Microsoft". Ai tha se Kina dhe ShBA-ja, si dy vende të fuqishme në fushën e shfrytëzimit të internetit përballen me sfida serioze për sigurinë kibernetike, por me dialog konstruktiv, respekt dhe besim reciprok mes palëve, interneti do të favorizojë më shumë dy vendet e dy popujt.
Përfaqësuesit e Microsoft-it i dhuruan presidentit Xi një model 3D të anijes "Liulinhai", e para anije kineze e mallrave që mbërriti në portin e Seattle në vitin 1979, disa dekada pas ndërprerjes së transportit detar mes dy vendeve.
Ndërsa në ceremoninë e pritjes të organizuar nga "Boeing" për nder të tij, presidenti Xi Jinping vlerësoi bashkëpunimin e kësaj kompanie me palën kineze, duke shtuar se zhvillimi i Kinës do të krijojë më shumë shanse për ndërmarrjet amerikane. Përfaqësuesit e Boeing-ut i dhuruan Xi Jinpingut një uniformë të kompanisë dhe një dritare të avionit të tipit 747 me foton e mbërritjes së presidentit kinez në Seattle.
Po të mërkurën presidenti Xi gjatë një takimi me biznesmenë në Seattle tha se "prirja pozitive e ekonomisë kineze është afatgjatë dhe nuk do të ndryshojë". Kreu i shtetit i Kinës shtoi se investimet ndërkombëtare janë rritur dhe Kina po bëhet një burim i rëndësishëm i investimesh në mbarë botën.
(Eda Merepeza)