PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Fjalimi i kryeministrit Edi Rama në Universitetin e Financave e Ekonomisë të Tianjinit(video)
2014-09-12 16:49:14 CRI Komenti juaj Printoni

Një marrëdhënie më bashkëpunuese

Edi Rama

Kam kënaqësinë që ndodhem këtu, në këtë det të madh të dijes, të njohur jo vetëm për cilësinë dhe historinë e gjatë të ndihmesës për vendin tuaj, por edhe për numrin e jashtëzakonshëm të individëve të spikatur që janë diplomuar, po studiojnë dhe po japin mësim në këtë institucion të arsimit të lartë.

Nëse jeni të befasuar që unë e njoh Universitetin tuaj, ju lutem të mos jeni: unë jam ish-basketbollist...

Fitimi i 9 kampionateve kombëtare universitare nuk është diçka që një sportist mund ta shpërfillë, veçanërisht tani që ne po përpiqemi t'i ringjallim kampionatet universitare.

Ndoshta është e vështirë për qytetarët e një vendi të madh si juaji, e madje edhe për një numër të madh studentësh e profesorësh të interesuar, të cilëve kam nderin t'u drejtohem sot, që të kujtojnë emrat e vendeve të vogla, veçanërisht kur ka disa vende të mëdha emrat e të cilëve fillojnë me A.

Megjithatë, besoj se, pavarësisht sipërfaqes dhe popullsisë së saj, Shqipëria përbën një përjashtim për Kinën, ku e di që njohja për vendin tim është krejtësisht në shpërpjesëtim me madhësinë e tij.

Mendoj se një njohje e tillë është rrjedhojë e seriozitetit me të cilin autoritetet kineze e kanë trajtuar bashkëpunimin me jashtë, por i ka gjithashtu rrënjët edhe në një histori veprimesh të përbashkëta domethënëse.

Shqipëria është vendi që në vitin 1963 propozoi anëtarësimin e Kinës në Kombet e Bashkuara dhe paraqiti një rezolutë që Kina të pranohej si anëtare e plotë në gusht 1971.

Rezoluta, me firmat e 23 vendeve, çoi në pranimin e Kinës me 2/3-t e votave më 25 tetor 1971.

Jam i bindur se, teksa ky është një fakt i njohur, ka të tjera që nuk kanë dalë shumë në dritë, si ai i njoftuar nga Agjencia Kineze e Lajmeve, dhe pastaj nga "NY Times", për drithin e emergjencës të dërguar nga Kanadaja për Kinën e goditur rëndë nga uria në fillim të viteve '60, dhe që papritmas ishte kthyer për në Shqipëri.

Është e qartë se Shqipëria e Kina kanë një histori shumë komplekse dhe të pasur, së cilës mendoj se duhet t'i japim dinamikë të re, që përshtatet me ritmin e ndryshimit, krijueshmërisë dhe ndërlidhshmërisë së kohëve të reja ku po jetojmë.

Siç mund ta keni dëgjuar, një fjalë e urtë kineze thotë: "Shiko të shkuarën dhe do të njohësh të ardhmen".

Prandaj, duke marrë parasysh të shkuarën dhe vullnetin tonë të tanishëm, besoj se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës kanë gjithçka që duhet për t'u bërë të shkëlqyera sa më shpejt që të jetë e mundur.

Nga ana tjetër, të shohësh të shkuarën do të thotë të mësosh nga gabimet. Dhe në veçanti kur vjen fjala te qeverisja, ne kemi shumë për të mësuar nga e shkuara, për t'u siguruar një të ardhme të ndryshme dhe më të mirë qytetarëve tanë.

Qeveria jonë e zgjedhur më 23 korrik 2013 me moton e Rilindjes është e vendosur të ndryshojë modelin ekonomik të vendit, ku burimi kryesor i të ardhurave për shumë vjet kanë qenë paratë e dërguara nga emigrantët, kurse sektori më vital ai i ndërtimit. Kjo është arsyeja pse në përcaktimin e rrugës për zhvillimin e vazhdueshëm jemi të vetëdijshëm që duhet të mbajmë parasysh dhe të përdorim me mençuri vendndodhjen tonë në zemër të Europës, burimet tona natyrore dhe faktin që zëmë vendin e dytë në kontinentin europian për moshën e re të popullsisë.

Ne jmi këmbëngulës në heqjen e disa prej pengesave në zhvillimin e vazhdueshëm, si informaliteti dhe çështjet e pronësisë së tokës, duke bërë të mundur që të paktën 70 % e pronarëve të tokës të marrin titujt e plotë të pronësisë për tokën e tyre brenda fundit të këtij mandati.

Në të njëjtën kohë, duke filluar reformën fiskale dhe doganore, reformën territoriale dhe administrative, qeveria po përballet me një varg problemesh kritike për ekonominë dhe shoqërinë tonë.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm qasja e qeverisë ndaj sipërmarrësve dhe investitorëve.

U bë një vit tani që qeveria e re ka nisur ndërtimin e një marrëdhënieje partneriteti me biznesin dhe investitorët. Në këtë drejtim, e dinim që gjëja e parë që duhej bërë ishte hartimi i një numri rregullash të qarta për të bërë biznes në vendin tonë.

Gjithashtu, ne kemi ndërmarrë veprime ndërinstitucionale për të siguruar që investitorët e huaj nuk do të humbin qoftë edhe një sekondë të vetme në procedura të zgjatura administrative ose nuk do të ndeshen me pengesa që mund të lindin nga mungesa e njohjes së sistemit ose nga zyrtarë shtetërorë të korruptuar.

Për shkak se objektivi ynë është tërheqja e investimeve të drejtpërdrejta të huaja, që janë jetike për përtëritjen tonë ekonomike, ne ngritëm për herë të parë në historinë e Shqipërisë Këshillin Ekonomik Kombëtar dhe do të krijojmë edhe Këshillin Kombëtar të Investimeve.

Këta këshilla jo vetëm do të funksionojnë si platforma për të ndarë e zgjidhur problemet e mëdha me të cilat përballen sipërmarrësit e investitorët, por edhe shërbejnë si forume politikash për të siguruar zbatueshmërinë dhe parashikueshmërinë e mjedisit të investimeve.

Ndonëse ne e gjetëm ekonominë shqiptare duke shkuar poshtë një rruge shumë të rrezikshme, tani, pas një viti në post, mendoj se ndryshimi i drejtimit dhe modelit të saj nuk është një detyrë e pamundur.

Kur është fjala për ndryshimin pozitiv të treguesve ekonomikë, fjala "e pamundur" mund të duket veçanërisht e pakuptimtë këtu në Kinë, një vend që, siç ka vënë me të drejtë në dukje presidenti Hollande, ka përjetuar një rilindje që prej 30 vjetësh, me një zhvillim ekonomik të pashoq për sa i përket ritmit të arritjeve të tij.

Për qeverinë e koalicionit në Shqipëri, rilindje do të thotë së pari një ndryshim i qasjes ndaj qeverisjes, që do t'u jepte qytetarëve një qeveri të popullit dhe për popullin, dhe një kabinet qeverisës që udhëhiqet nga ndjenja e detyrës dhe jo e pushtetit.

Sidoqoftë, puna e përditshme më ka bërë të kuptoj se gjëja më e rëndësishme për rilindjen është bërja e gjërave.

Jam i sigurt se studentët e profesorët kinezë dhe pjesa më e madhe e audiencës këtu e dinë se për çfarë e kam fjalën.

Në një vend që arrin të ushqejë 1.4 miliardë njerëz, teksa ka vetëm 10 % të tokës së punueshme të botës, por, nga ana tjetër, siguron mbajtjen e 20 % të popullsisë botërore, është e qartë se shumë e dinë se çfarë do të thotë t'i bësh gjërat.

Kjo është një arsye shtesë pse ne duam të kemi më shumë marrëdhënie bashkëpunimi me Kinën dhe i nxitim investimet kineze në fusha të ndryshme, si bujqësia, turizmi, energjetika, infrastruktura etj.

Për sa i përket sektorit të manifakturës që punëson një ndër katër veta që nuk punon në bujqësi, Shqipëria ka gjeografikisht dhe nga ana logjistike një pozicion shumë të mirë për t'u shërbyer tregjeve europiane.

Së fundi qeveria ka prezantuar një paketë për prodhuesit duke iu ofruar hapësira shtetërore me kosto 1 euro në vit për disa vite në mënyrë që ata të ofrojnë trajnim profesional për punonjësit dhe të mbulojnë shpenzimet e sigurimeve shoqërore.

Nga ana tjetër, rritja e tregut të energjisë ka një potencial të madh dhe mundësi për hidroenergjinë, por edhe në tregun e gazit dhe të gazifikimit, ku gazsjellësi TAP do ta sjellë gazin nga Azerbajxhani në Shqipëri dhe më tej nëpërmjet Mesdheut dhe Rajonit të Europës Juglindore në shumë vende të tjera.

Unë dua të them se Shqipëria po ndryshon ashtu si edhe Ballkani po ndryshon. Këtë vit, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore, ka shumë kujtime për një histori të trishtuar, një luftë që filloi në rajonin tonë dhe u përhap në kontinent për të masakruar miliona njerëz.

Prandaj sot, në vitin 2014, jo si në vitin 1914, për të gjitha sfidat që në përballemi, bota është shumë herë më e mirë, më e siguritë për shumicën, më e begatë, me më shumë mundësi për të gjithë ne.

Rajoni ynë është duke përjetuar një paqe që unë mendoj se politikanët, investitorët dhe aktorët shoqërorë duhet ta bëjnë të vlefshme.

Shqipëria numëron rreth tre milionë konsumatorë, por së bashku me vendet e tjera të Ballkanit ne arrijmë në 60 milionë, një treg që nuk mund të neglizhohet për kapacitetin dhe pozicionin gjeografik.

Pas Samitit të Berlinit të drejtuar nga kancelarja Angela Merkel në fund të gushtit, i gjithë rajoni hyri në një epokë të re bashkëpunimi.

Në Shqipëri ne presim me padurim për t'u bërë promotorë të bashkëpunimit rajonal, sepse në i dimë shumë mirë pasojat e izolimit dhe luftës.

Si drejtues të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) në propozuam intensifikimin e bashkëpunimit në infrastrukturë, energji, sipërmarrje, burimet njerëzore dhe turizëm.

Nga ana tjetër, Marrëveshja e tregtisë së Lirë e Europës Qendrore, po kontribuon për të afruar një rajon më të madh se Ballkani duke e bërë atë edhe më interesant për investitorët.

Një mik kinez më tha se nëse krijoj një "Google alert" për Shqipërinë, gjysma e lajmeve do të vijnë nga burime kineze dhe ndonjëherë edhe nga gazeta vendore si "Shanghai Daily".

Megjithatë, nëse nuk i keni lexuar gazetat së fundi, më lejoni të them se që nga fundi i viteve '80, Shqipëria dhe Kina kanë përjetuar një prirje në rritje të shkëmbimeve, veçanërisht në sektorin privat.

Ka mbi 30 lloje të ndryshme marrëveshjesh në zbatim midis dy vendeve.

Unë mendoj se ky është një çast i ri në historinë e Ballkanit dhe mund të përbëjë një nxitje për t'i kthyer marrëdhëniet shqiptare kineze në një trampolinë për Kinën në rajon dhe në Bashkimin Europian, në mënyrë të veçantë derisa Shqipëria të anëtarësohet në BE.

Me një bashkëpunim më të gjerë midis Kinës dhe Shqipërisë gjatë periudhës së tranzicionit, Kina mund bëjë tregti dhe biznes në Europë pa pasur pengesa tregtare.

Por jo gjithçka është mbi tregtinë, ekonominë, financat. Unë shpresoj se ju do të bini dakord me mua pavarësisht zgjedhjes suaj së arsimit tuaj të lartë.

Instituti Konfuci hapi dyert e tij në Universitetin e Tiranës 18 nëntorin e kaluar.

Gjatë inaugurimit të tij, unë e kisha shumë seriozisht kush thashë se ne duhet të bashkëpunojmë për ta kthyer Instituin Konfuci në Tiranë në një qendër rajonale të mësimit të gjuhës kineze dhe kulturës antike të vendit tuaj.

Në mënyrë të veçantë të rinjtë duhet ta njohin njëri tjetrin më thellë.

Kur unë them se Shqipëria është një përjashtim për popullin kinez, e kisha për njerëzit në të 50-t e sipër. Unë nuk jam i sigurtë megjithatë, kur flitet për të rinjtë.

Duke marrë parasysh disa nga prioritetet e Iniciativës së Kinës për Europën Qendrore dhe Lindore, është shumë e qartë se autoritetet kineze po u japin rëndësi këtyre aspekteve.

Unë mendoj se nisma e të rinjve, universiteteve, dhe institucioneve kulturore duhet ta kthejnë këtë vullnet të fortë në avantazhin e tyre për projekte dhe aktivitete të përbashkëta.

Në fund të vitit 2013, dyqindenjëzetedy (222) studentë shqiptarë siguruan një bursë nga qeveria kineze.

Ky është një numër i mirë, por unë mendoj se ka më shumë mundësi dhe ne duhet të ndajmë më shumë krijimtari në bashkëpunimin tonë.

Kjo nuk është vetëm për basketbollin, por për fusha të ndryshme. Pavarësisht se unë do të dëshiroja shumë të kishim një kampionat universitar basketbolli dhe një ekip universitar basketbolli në Shqipëri.

Ajo që dua të them është një numër i vogël dhe i madh bashkëpunimesh në prodhim, bujqësi, infrastrukturë, si dhe në kulturë, sporte dhe arsim.

Të dashur miq, zoti president, shkëlqesia e tij Xi Jinping, është një dashamirës i leximit, çka është një zakon i mahnitshëm.

Në vendin tim, unë jam deri diku i njohur për pikturim, edhe mbi dokumentet ditore të punës.

Kështu, nëse do të më duhej të pikturoja Shqipërinë e sotme për ju sot, unë do të shkoj të derdh me penela mbi kanavacë dritën e madhe të shpresës dhe do të ndriçoj forma të mëdha e mundësi ngjyrash.

Më pas, unë do t'ju ftoja vetë të shikoni nëse kanavaca përputhet me realitetin.

Së fundi, duke ju falënderuar për durimin, më lejoni të përsëris një proverb: "Merrni në konsideratë të kaluarën dhe do të njihni të ardhmen."

Rregullisht, nëntë herë kampionët do të bëhen kampionë sërish; Ju uroj fatin më të mirë në kampionatin e ardhshëm.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China