PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Shqipëria 100 vjet shtet
2012-11-28 20:55:42 CRI Komenti juaj Printoni

Shqipëria kremton 100-vjetorin e themelimit të shtetit. Që nga 28 nëntori i vitit 1912 ku shqiptarët u mblodhën në Vlorë për të shpallur Pavarësinë ka kaluar një shekull.

Shqiptarët nga të gjitha trevat i janë drejtuar Vlorës për të kremtuar ngjarjen më të rëndësishme të kombit, ditën që simbolizon bashkimin.

Aktivitete të shumta dhe festime mbarëkombëtare po zhvillohen si në Vlorë ashtu edhe në Tiranë.

Presidenti Bujar Nishani, kryeministri Berisha, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, kreu i PS-së Edi Rama, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi si dhe ministra dhe personalitete të larta të shtetit kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Gjithashtu janë zhvilluar homazhe edhe në Monumentin e Pavarësisë si dhe janë vendosur kurora me lule në varrin e Ismail Qemalit.

Fjalën e parë përshëndetëse e ka mbajtur Kryetari i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika i cili u ka uruar të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen 100-vjetorin e pavarësisë.

"Ja tek erdhën sot në këtë ditë të bekuar të 28 nëntor të viti 1912. 28 nëntori është një ngjarje historike nga më të rëndësishmet. Ajo është ditëlindja e të parit shtet modern shqiptar", theksoi Gjika.

Kryefjalë e kësaj dite për të është bashkimi kombëtar.

"Nëse ka një kryefjalë, kjo është bashkimi, bashkimi vëllazëror në të tërë dimensionet, në të gjithë spektrin e ngjyrave. Bashkim jo si një mbledhje matematikore por si një bashkim njerëzish. Kjo gjë po ndodh edhe sot", shtoi Gjika.

Në fjalën e tij, presidenti Bujar Nishani ka theksuar se historia e vendit tonë në faqet e saj të shkruara dhe të pashkruara dëshmon për gjakun e derdhur, për sakrificat e pafundme.

"Ditëlindja e 100-të e shtetit shqiptar është ngjarja më e bukur për çdo bashkëqytetar kudo që jeton në Shqipëri dhe jashtë saj", tha Nishani.

"Sot ne kemi ëndrra dhe shpresa të mëdha. Shqipëria e sotme dhe e nesërmja janë vazhdë e atij flamuri që u ngrit në Vlorë. Si të tillë ne dhe flamuri ynë jemi të pandarë dhe të pandalshëm, si ideja dhe veprimi, si toka dhe qielli, si trupi dhe shpirti. Flamuri ynë është nga më të pastërtit. Flamuri na është dashur ne dhe ne i jemi dashur flamurit si simbol mbijetese. Gëzuar festën të gjithë shqip, qoftë e bekuar kjo ditë për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Rroftë Vlora, rroftë Shqipëri, rroftë kombi shqiptar" shtoi më tej Nishani.

Pas Vlorës aktivitet do të vazhdojnë në Tiranë ku gjithashtu shumë njerëz janë mbledhur për të festuar.

100-vjetori i mëvetësimit të Shqipërisë është festuar edhe në Pekin në ambasadën e shqiptare. Duke përshëndetur të ftuarit ambasadori Kujtim Xhani tha se Shqipëria është një vend me demokraci të konsoliduar në proces integrimi në Bashkimin Europian.

Ndërkohë ai veçoi marrëdhëniet me Kinën, duke i konsideruar ato si shumë premtuese.

"Duke konsideruar realitetin e ri dhe potencialet e të dy vendeve, ne shohim shtim të interesit dypalësh për të zgjeruar përpjekjet për t'ju shërbyer më mirë popujve tanë", tha Xhani.

Në ceremoninë e kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të shtetit shqiptar ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kinës, Xie Hangsheng. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China