PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Hetimi mbi tregun e celularëve shqiptar
2012-05-02 17:44:40 CRI Komenti juaj Printoni



 
 

Në historinë e zhvillimit shkencor, telefonia e lëvizshme ka ecur dhe ecën me hapat më të shpejtë; me një shpejtësi që shpesh nuk mund ta ndjekësh. Vetëm para pak vitesh celularët ishin shumë "primitiv" dhe funksionin me valë në analogjik, shumë shpejt doli gjenerata e dytë GSM (Global System for Mobile Communications) , e cila në fillim ishte vetëm për pak njerëz, pra shumë pak mund t'ia lejonin vetes, por shumë shpejt ai u bë për perdorim të përgjithshëm. Vitin 2003 ishte viti kur doli në përdorim për të gjithë gjenerata e tretë e celularëve, pra ajo UMTS (Universal Mobile Telephony System). Ky lloj sistemi i ri ofron shërbime më të shumta dhe shumë më të shpejta. Me UMTS bëhet e mundur biseda me video drejtpërdrejt. Gjithashtu është bërë e mundur dhe shkarkimi i videove të shkurtra dhe muzikës nga interneti; libri i adresave mund të përmbajë dhe foto të miqve që kemi aty. Pra celularët, një revolucion teknik në vetevete, kanë pësuar ndryshime drastike në një kohë rekord.

Kompjuterët dhe celularët, brenda disa viteve do të bëhen aq të sofistikuar sa do të jenë në gjendje të përcjellin lëvizjen e syve tanë dhe në bazë të tyre të marrin përfundime rreth qëndrimeve, preferencave, nevojave dhe prioriteteve tona, thjeshtë do të mund të lexojnë mendjet tona.

Përcjellja e lëvizjes së syve në të cilën përdoren një apo më shumë kamera, mund në mënyrë shumë të saktë të konstatojnë të gjitha ndryshimet e lartpërmendura. Ajo ka shumë aplikime të dobishme siç janë përmirësimi i komunikimit, respektivisht interaksionit të individit me rrethin. P.sh., "Apple" ka parashtruar kërkesën për bërthamën e përdorimit tre-dimensional me përcjellje të syve (GUI) për pajisjet e saj iPhone dhe iPad.

Kompania europiane "Sensye", vitin e ardhshëm planifikon fillimin e integrimit të programit për përcjelljen e syve në telefonat e mençur. Dhe me përparimin e kësaj teknologjie, mund të priten shumë polemika rreth privatësisë dixhitale. Përcjellja e syve sot ende nuk është e gatshme për lansim në tregun masiv. Numri i operacioneve të nevojshme kompjuterike, është tepër sfidues edhe për kompjuterët më të sofistikuar.

Përveç kësaj, shumë pak prej tyre janë të pajisur me kamera të cilat i kanë aftësitë e xhirimit të syve të përdoruesve. Mirëpo, me rritjen e fuqisë së kompjuterëve dhe telefonave celularë, këto pengesa do të zhduken, kështu që pritet që deri në vitin 2015, shumica e kompjuterëve dhe tablove, të kenë forcën e mjaftueshme dhe kamerat të cilat pa problem do të mund ta bëjnë këtë punë. Kur njëherë hyn në treg, kjo teknologji nuk do të regjistrojë vetëm të dhënat për atë çfarë kemi lexuar, por edhe si i kemi lexuar.

Të ardhurat në tregun celular në Shqipëri

Të ardhurat në tregun celular, për vitin që shkoi, shënuan 400 milionë euro, sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për ecurinë e tregut të telefonisë për vitin që shkoi.

Sipas AKEP, përdorimi i shërbimeve celulare për pajtimtarët ka pasur një rritje të ndjeshme, duke nisur nga viti 2009. Po kjo rritje, në vitin 2010, ka qenë edhe më e madhe, ku vihet re se përdorimi i thirrjeve telefonike ka pasur një rritje me 60-70 për qind, ndërsa numri mesatar i SMS-ve ka pasur një rënie me 16%. Ndikim në këtë tendencë ka dhënë rënia e tarifave të shërbimeve celulare, për shkak të konkurrencës së fortë ndërmjet kompanive, e cila pritet të vijojë edhe këtë vit. Kështu, rritja e ndjeshme e numrit të pajtimtarëve, rënia e çmimeve mesatare për përdorues, rritja e ndjeshme e përdorimit të shërbimeve celulare, në krahasim me vitet e mëparshme, tregojnë se, tregu është bërë më elastik dhe me rritje të përfitimeve për përdoruesit. Megjithatë, AKEP vëren se ka ende hapësira për rritje të përfitimeve në grupe më të mëdha përdoruesish, dhe jo vetëm për përdoruesit e thirrjeve brenda rrjetit. AKEP vlerëson se gjatë vitit që shkoi, përdorimi mesatar i telefonit është rritur për shkak të tarifave shumë të ulëta brenda grupeve të mbyllura dhe këto paketa nuk përdoren nga të gjithë abonentët, apo në rastet kur ka një numër të madh të përdoruesve të paketave, siç janë institucionet dhe bizneset. AKEP vlerëson se, gjatë vitit që shkoj ka pasur një rritje të ndjeshme të konkurrencës ndërmjet operatorëve, duke e përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në raport me vendet e tjera më të zhvilluara. Në këtë krahasim vëren se, tarifat celulare të matura me shpenzimet e për shportat e vendeve të zhvilluara të Europës janë mbi nivelin mesatar të vendeve të rajonit. Nga analizat e kryera, ky pozicion shpjegohet për shkak të tarifave të larta për thirrjet jashtë rrjeteve dhe tarifat e SMS-ve në paketat standarde, të cilat janë përdorur në krahasimet me OECD. Ndërsa AKEP, në analizën e fundit të tregut celular, në tregut me pakicë, gjykoi se ky treg nuk është më i justifikueshëm, ndërkohë që tashmë ka marrë vendimet përkatëse, për orientimin në kosto të tarifave me shumicë, të cilat pritet të reduktojnë ndjeshëm tarifat aktuale.

Çdo familje shqiptare ka 7 numra celulari

A është një arritje për tu mburrur që çdo familje ka 7 numra celularë? A është përmirësuar cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë? A është rritur eficenca e sipërmarrjeve shqiptare? Është e vështirë për të bërë një vlerësim, sepse duhet një analizë më e detajuar ndërkohë që informacioni është i pamjaftueshëm.

Në raportimin vjetor të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare spikat një tregues që, zyrtarisht, vlerësohet si arritje e madhe e zhvillimeve në tregun e telefonisë celulare. Shqipëria ka një normë penetrimi të telefonisë celulare në nivelin 185 % në një kohë që mesatarja e Europës është 124 %. Pra, në këtë tregues ia kemi kaluar me 50 % mesatares europiane.

Por çfarë do të thotë konkretisht norma e penetrimit të telefonisë celulare 185 %?

Do të thotë që çdo qytetar i Shqipërisë ka 1,85 celularë, pra pothuajse dy celularë. Përfshijmë këtu edhe foshnjat, edhe super të moshuarit, edhe personat me aftësi të kufizuar. Ndryshe mund të themi që çdo familje ka 7 celularë.

Në vitin 2011 numri i celularëve të aktivizuar rishtaz është 690 mijë. Pra pothuajse çdo familje ka marrë një numër të ri celular, edhe pse që prej vitit 2009 çdo shqiptar e ka një numër celular. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në vitin që u vu në zbatim sistemi i portabilitetit të numrit nga një operator në një tjetër. Vetëm 40 mijë vetë zgjodhën të bartin numrin në një operator të ri. 690 mijë e ndjenë të nevojshme të kishin një telefon më shumë.

Por një gjë duket qartë. Me të dhënat e shpenzimeve për një numër celular të vitit 2010, rezulton se çdo familje shpenzon mesatarisht në vit 65 mijë lek apo rreth 5,400 lek në muaj. Ndërkohë që sipas INSTAT shpenzimet e telekomunikacionit zënë jo më shumë se 2,5 % të shportës mujore të shpenzimeve.

Aplikacionet e shumëllojshme dhe fushata agresive e kompanive celulare ka rritur ndjeshëm numrin e përdoruesve të kësaj telefonie në vend duke bërë që Shqipëria të ketë një normë penetrimi më të lartë se ajo mesatare e vendeve të Bashkimit Europian. Të dhënat e publikuara sëfundmi nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) pasqyrojnë një përdorim të gjerë te telefonisë celulare në vend, stimuluar kjo është nga shtrirja modeste e rrjetit të telefonisë fikse.

Interneti, 17 % e abonentëve e kanë me bandë të gjerë

Interneti ka njohur vitet e fundit një zgjerim të ndjeshëm duke bërë që shqiptarët të kenë mundësi marrjen e shërbimit me bandë të gjerë në familjet e tyre. AKEP konfirmon se deri në fund të qershorit 2011, numri i familjeve që kishin lidhur internetin në shtëpitë e tyre ishte rreth 140 mijë të tilla ose rreth 17 për qind e familjeve në Shqipëri. Biznesi ndërkohë është më i interesuar për këtë shërbim, duke bërë që të lidhen rreth 10 mijë të tillë me internet me bandë të gjerë.

Rritja e numrit të përdoruesve të internetit vjen për shkak të investimeve që kanë bërë operatorët në shtrirjen e linjave të reja por edhe ofrimit të shërbimit 3G nga kompanitë celulare. Aktualisht, janë dy licenca 3G në treg dhe AKEP është përgatitur për të lëshuara të tretën duke zgjeruar numrin e përdoruesve të internetit me bandë të gjerë.

2013-a, fundi i kartëmonedhave

Portofoli do të dalë në pension. Për të paguar do të mjaftojë afrimi i dy aparateve celularë. Gjithçka do të jetë e mundur falë teknologjisë "Near Field Communication"

Pas pak kohësh paratë do të bëhen pjesë e fjalorit, duke ndryshuar përgjithmonë zakonet tona. Bëhet fjalë për teknologjinë NCF (Near Field Communication) që mendohet se do të ndryshojë përgjithmonë sektorin e pagesave të vogla. Kjo lloj teknologjie lejon dialogimin e dy aparateve elektronikë, thjesht duke i afruar. Ky revolucion do të nxjerrë në pension portofolat, bankomatet, madje edhe kartat e kreditit, të cilat do të zëvendësohen nga celularët, ose më saktë nga "smartphone".

Në vitin 2014, sipas gjigantit "Google", 50 për qind e telefonave do të jenë NFC dhe transaksionet e paguara me një celular NFC do të arrijnë në 50 miliardë dollarë. Duke iu referuar të dhënave të "Juniper research", kjo shifër do të arrijë në vlerën 670 miliardë dollarë, vetëm një vit më vonë, pra më 2015-n.

Por si funksionon teknologjia NFC?

Kjo është një mënyrë më e thjeshtë pagese. Do të jetë udhëzuesi telefonik që do të identifikojë përdoruesin. Pagesa do të vijë në llogarinë bankare ose në faturat telefonike. Markat "Samsung", "LG", "Nokia" janë prodhuesit e parë të "smartphone"-ve që kanë prezantuar modelin NFC. Së fundmi nga interneti qarkullojnë zëra se edhe "iPhone 5" do ta përqafojë këtë teknologji të re. Teknologjisë NFC i janë përgjigjur edhe kompanitë "Paypal", "Google", "Visa", "American Express".

Po në Europë a është e pranishme një risi e tillë?

Një projekt që ka lidhje me kompanitë celulare në Spanjë ka dhënë shifra shumë inkurajuese. 90 për qind e përdoruesve të "smartphone"-ve përdorin celularët për të paguar blerjet e tyre. Gjithashtu projekti bën të ditur se kur është e nevojshme, mund të përdoret edhe një sistem tjetër i quajtur "contactless" dhe është shumë herë më i besueshëm sesa një kartë krediti për të bërë "blerje elektronike".

Në Lindje pagesat e këtij lloji janë bërë prej kohësh pjesë e realitetit. Në Japoni përdoruesit e teknologjisë NFC arrijnë mbi 100 milionë (tashmë blerjet me telefon janë bërë rutinë), në Hong-Kong një kartë që ka lindur më 1997-n për të paguar mjetet publike, sot është bërë fenomen i masës, aq sa pranohet edhe si dokument identifikimi. "Octopus card", që gjendet në portofolat e 95 për qind të qytetarëve, përdoret thuajse kudo, edhe nëpër firmat e mëdha "McDonald's", "Starbucks" dhe "7-Eleven".

Në Shtetet e Bashkuara aktorët kryesorë mbajnë emrat "Paypal", "Visa" dhe "Google". Ky i fundit në veçanti është përfolur shumë kohët e fundit për një sistem pagese "Google wallet" që nuk mbështetet vetëm në teknologjinë NFC për të zëvendësuar kartën e kreditit, por ka si qëllim të ripërtërijë vetë eksperiencën e të bërit pazar, duke shfrytëzuar gjeo-vendndodhjen, në bazë të së cilës mund të na informojë mbi ofertat më interesante që ndodhen në dyqanet rreth e rrotull nesh. Edhe për uljet mund të informohemi në mënyrë elektronike, ashtu siç ndodh përtej oqeanit, gjë që tashmë është kthyer në një tendencë.

Çfarë markash të telefonave celularë preferojnë më shumë shqiptarët?

Nga disa forume të fundit në internet ka dalë se markat e celularëve që preferohen më shumë nga shqiptarët janë I phone, Nokia, Blackburry HTC dhe Samsung. Për të dëgjuar më shumë për këtë ne kemi intervistuar disa konsumatorë shqiptarë dhe një tregtar që merret me shitjen e telefonave celularë. Le të dëgjojmë se çfarë thonë ata.

Alfredi, 31 vjeç nga Tirana përdor telefonin e markës Nokia, pasi beson se është një nga telefonat më të mirë sot në botë. Përsa i përket markës HTC ai u shpreh se kjo markë sot po konkurron gjigantët në këtë fushë.

"Kina sot për sot po pushton botën me prodhimet e saj dhe është fakt që rritja më e madhe sot për sot në botë ndodhet në Kinë, po ashtu nuk ka shpëtuar dhe teknologjia e telefonave e cila është primare e disa aspekteve të jetës. E them me bindje që Kina po prodhon shumë telefona të bukur dhe po konkurron shumë Europën, gjigantët Samsung, Nokia etj., po i konkurron të gjithë."

Një tjetër i apasionuar nga Tirana shprehet se përdor telefonin Iphone 4, celular i cili është kthyer në maninë e përdorimit të telefonave të mençur. Ai shprehet se është i kënaqur me këtë markë por ky telefon lë pak për të dëshiruar tek pjesa e baterisë.

"Përdorimi i I phonit është bërë dhe i modës kohët e fundit nga rinia, është dhe multimedial, mund të kontrolloni postën elektronike, të hapni faqet e rrjeteve shoqërore, videot e ndryshme në you tube, pra është një urë lidhëse shumë e fortë me internetin. Përsa i përket HTC-së është një nga rivalet kryesore të markës apple në fushën e celularëve, është një ndër markat më të shitura në tregun aziatik dhe kohët e fundit ka kapur dhe një përqindje të lartë të shitjeve edhe në tregun amerikan. Niveli teknologjik i HTC-së është i përafërt me produktet e apple dhe ndoshta pjesa e zgjedhjes së I phone-it me HTC-në është thjesht rastësi se në vetvete ato janë pothuajse e njëjta gjë"

Ai përfundoi duke thënë se shumë shpejt mund të marrë një HTC në vend të I phone-it.

Elvini nga Tirana ka një dyqan celularësh në kryeqytet dhe ka 5 vjet që e ushtron këtë aktivitet.

Ai thote se në dyqanin e tij ka telefona clularë të rinj e të përdorur dhe se shiptarët tani pëlqejnë telefonat të teknologjisë së fundit me prekje siç janë i phone, HTC, Blackburry, Nokia dhe Samsung.

Ai thotë se çmimet për I phone dhe HTC nuk janë të lira, megjithatë ka shumë tipe të HTC-së dhe cmimet varjojnë.

"HTC-ja është markë e fortë celularësh, pëlqehet nga konsumatori shqiptar dhe ecën mirë në treg. Unë për vete përdor Nokia E71 prodhim kinez, më pëlqen se ka 2 karta, televizor etj."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China