PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Suveniret, dhuratat dhe punimet artizanale në Shqipëri
2012-04-11 20:39:31 CRI Komenti juaj Printoni

Nuk mund të largohesh nga Shqipëria pa marrë diçka me vehte që t'ju kujtojë gjithmonë këtë vend me tradita. Ato i gjen të mishëruara mjaft mirë në prodhimet tipike shqiptare dhe janë shprehje e qartë e traditës së trashëguar të popullit shqiptar e ruajtur dhe përcjellë brez pas brezi. Artizanati shqiptar takohet tek punimet e leshit, drurit, bakrit, argjendit, etj. Që në kohët e lashta ka ekzistuar zejtaria artistike. Tradita e punimit të veshjeve të leshta, shajakut, pëlhurave për veshje më të lehta dhe sidomos atyre festive, spikasin me artin e tyre tepër të hollë, ku qëndisjet e ndryshme me fije ari dhe argjendi janë shumë të veçanta. Për t'a prekur atë turistët dhe vizitorët do të kenë mundësinë që në çdo qendër historiko- kulturore, qytetet kryesore të vendit etj. Të shohin dhe të blejnë artikuj dhe prodhime tradicionale shqiptare, të cilat tregtohen enkas në njësi të specializuara.

Dyqanet e suvenireve ofrojnë prodhime tradicionale shqiptare, të cilat janë shprehja më e mirë dhe më origjinale e kësaj tradite. Përgjithësisht këto janë të hapura gjatë gjithë javës, veçanërisht në qytetet kryesore turistike të vendit apo qendra historike e kulturore siç janë: Kruja, Berati, Gjirokastra, Tirana, etj.

Mjaft i njohur për tregtimin e suvenireve dhe antikuareve, tipik në llojin e tij, është Pazari i vjetër i Krujës. Dallohet për prodhimet e leshit siç janë: qilimat, tapetet, qeleshet, llullat e drurit, prodhimet e vjetra prej bakri, etj

Ndër suvenirët më të preferuar janë punimet artizanale me simbole kombëtare dhe motive shqiptare, të ndjekura nga qilimat e endur me dorë dhe bustet e figurave të njohura shqiptare.

Edhe gjatë sezonit të kaluar turistik, dyqanet e suvenirëve në kryeqytet u frekuentuan nga shumë turistë vendas e të huaj. Ndryshe nga një vit më parë duket se preferencat për punimet artizanale kanë ndryshuar disi. Nëse vitin e kaluar, bustet e figurave të njohura shqiptare, kërkoheshin më shumë, gjatë sezonit të kaluar turistik u kërkuan më tepër punimet me simbolet kombëtare nëpër dyqanet e suvenirëve. Kryesisht janë emigrantët që kthehen me pushime në Shqipëri, të cilët blejnë suvenire me motive shqiptare. Bluzat kuqezi, kapelet, çantat, pikturat me pamjet e qyteteve shqiptare, shqiponjat etj.

Ndër to spikatin veçanërisht edhe punimet në dru, në hekur, bakër, alabastër, në materiale të çmuara ari dhe argjendi, lëkure dhe leshi. Punimet artizanale veç të tjerash janë dëshmi edhe e identitetit kombëtar. Këto vlera, tashmë të kaluara brez pas brezi, ngjallin gjithnjë interes të madh tek vizitorët dhe studiuesit vendas dhe të huaj.

Që në hyrje të dyqaneve kuptohet se aty shiten gjëra me vlera kulturore të prodhuara nga artizanët shqiptarë. Flamuj kuqezi, kostume popullore, punime prej bakri e druri mbushin plot e përplot muret e dyqanit. Numri i artikujve artizanalë është i lartë, pasi aty mund të gjesh gjëra nga më të ndryshmet. Por më shumë të preferuara sipas shitësit të një dyqani suvenirësh janë qilimat e endur me dorë, skulpturat e Heroit Kombëtar Skënderbeut, Nënë Terezës etj.

Përveç këtyre punimeve me alabastër mund të të zërë syri edhe punime me motive shqiptare që pëlqehen jo vetëm nga vendasit, por edhe nga turistët e huaj, të cilët duan të kenë me vete kur të largohen ndonjë kujtim nga Shqipëria.

Por sipas shitësve të suvenirëve, kërkesat për punimet artizanale kanë rënë ndjeshëm. Të pasionuarit e suvenirëve stepen për t'i blerë shpeshherë edhe nga çmimi. Sipas pronarit të një prej dyqaneve të suvenirëve, qilimat janë shumë të preferuar jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt. Në veçanti qilimat blihen edhe për dekorimin e salloneve të ambasadave të huaja këtu në Tiranë. Të shtrenjta gjithashtu janë edhe punimet e dorës, si mbulesa tavoline, çentro, çanta e shumë artikuj të tjerë. Nëpër muret e dyqaneve të suvenirëve janë të vendosura punimet e drurit të cilat kanë kosto të lartë, për shkak të cilësisë.

Artizanati në qytetet e Shqipërisë

Punimet në bakër, hekur, në lesh, argjend, etj., vazhdojnë të tërheqin vëmendjen e vizitorëve. Aktualisht qyteti i Krujës është personifikimi i prodhimit të objekteve të kulturës materiale popullore. Në Kavajë vazhdon tradita e prodhimit të objekteve prej balte, të cilat gjejnë përdorim të gjerë nga vetë popullata e atjeshme por ngjallin interes edhe për vizitorët vendas dhe të huaj. Në Kuçovë është gjallëruar artizanati që merret kryesisht me punimin e fletëve të arit. Në Pukë vazhdon në mënyrë të pandërprerë veprimtaria e mjeshtërve të punimit të drurit, që dallohen në veçanti për prodhimin e instrumenteve popullorë si: sharkive, çiftelive, bilbilave, pipëzave etj. Për mënyrën e punimit, ornamentet, vlerat utilitare e estetike, prodhimet e këtij lloji kanë ngjallur interesimin e tregtarëve të shtetit fqinj, Greqisë. Në Tiranë vazhdon prodhimtaria e hershme e qelesheve, llullave, punimeve në gur-alabastër e materialeve të çmuar, argjend si dhe në bakër. Biznesi më i suksesshëm sot realizohet nga mjeshtrit e prodhimit të kostumeve popullore shqiptare për të rritur dhe fëmijë, ata të prodhimeve të leshit si çanta, rrugica si dhe prodhimi i kutive prej ari e argjendi që përdorin gratë e vajzat për mbajtjen e stolive, të unazave, varëseve etj.

Në Komunën e Antigonesë, në Gjirokastër, në bashkëpunim me një fondacion holandez është ngritur punishtja "Artizanet e Antigonesë" të cilët prodhojnë punime me avlëmend, prej leshi etj., të cilat janë pritur mjaft mirë në tregun shqiptar dhe atë të huaj.

Turistët blejnë e blejnë sa të mundin objekte të vogla e të mëdha, simbole kombëtare me flamuj, shqiponja dhe elementë të tjerë shqiptarë. Megjithatë shumica e këtyre mallrave vijnë nga Turqia e madje edhe nga Kina.

"Vazhdon të punohet, por jo si më parë. Të rinjtë e kanë të vështirë të punojnë në mënyrë artizanale. Unë kostumet i punoj vetë dhe aty kam fitimin", shprehet një shitëse.

Kina sidomos, është shndërruar kohët e fundit në një nga prodhuesit më të mëdhenj të krenarisë kombëtare shqiptare. I gjithë ky volum mallrash, ka një procedurë të vetën.

Kujtimi është një nga tregtarët që porosisin më rregullisht suvenire shqiptare nga Kina:

"Unë punoj në kompjuter foto me tematikë shqiptare dhe i dërgoj në Kinë."

Kujtimi ka vite që tregton suveniret shqiptare, fillimisht të prodhuara në vendin tonë por ka edhe ai një arsye përse hoqi dorë dhe filloi bashkëpunimin me Kinën:

"Mungesa e tregut për produktin shqiptar dhe fakti se këtu krahu i punës është më i shtrenjtë se në Kinë."

"Dogana është shumë e shtrenjtë për qelqin si lëndë e parë. Në të kundërt do ta hapja këtu punishten dhe makineritë do t'i kisha marrë nga Kina", sqaron Kujtimi. (Bana/Vera )

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China