Ne, udhëheqësit e G20-s, u takuam në Rio-de-Zhanejro nga 18 deri më 19 nëntor 2024, për të përballiar sfidat dhe krizat kryesore globale dhe për të promovuar një rritje ekonomike të fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe përfshirëse. Ne u takuam në vendlindjen e Agjendës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin e Qëndrueshëm për të premtuar për ndërtimin e një bote të drejtë dhe një planeti të qëndrueshëm, duke mos lënë askënd pas.
Situata ekonomike dhe politike ndërkombëtare
Ne ritheskojmë rolin e G20-s si një forum madhor për bashkëpunimin ekonomik ndërkombëtar. G20-a do të mbajë përgjegjësi kolektive për të udhëhequr në mënyrë efektive ekonominë globale dhe për të krijuar kushte për një zhvillim global të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe elastik. Ne do të vazhdojmë të mbështetim vendet në zhvillim për t'iu përgjigjur krizave e sfidave globale dhe për të realizuar objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm.
foto: VCG
Epoka në të cilën jetojmë është përballur me sfida dhe kriza të mëdha gjeopolitike, socio-ekonomike, mjedisore e klimatike, dhe ne duhet të marrim masa urgjentisht. G20-a mund të sigurojë bashkëpunimin ndërkombëtar për të trajtuar këto sfida. Ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në vitin 2024, ne vendosëm zgjidhjen e të gjitha formave të pabarazisë në qendër të agjendës së G20-ës rreth temës "Krijimi i një bote të drejtë dhe i një planeti të qëndrueshëm".
Ka ende shumë sfida në ekonominë globale, me pasiguri në rritje dhe shtim të rreziqeve ekonomike, por ne vërejmë gjithashtu perspektivat e mira për një “ulje të butë”. Në shumë pjesë të botës, aktiviteti ekonomik po tregon më shumë elasticitet sesa pritej dhe nivelet globale të inflacionit po ulen. Ne do të vazhdojmë të promovojmë një rritje të fortë, të qëndrueshme, të balancuar dhe gjithëpërfshirëse, të lehtësojmë presionin e kostos së jetesës, të sigurojmë qëndrueshmëri fiskale dhe të reduktojmë efektet negative të përhapjes, duke promovuar ndërtimin e një sistemi financiar të hapur, elastik, përfshirës e të qëndrueshëm për të mbështetur rritjen ekonomike.
Ne vërejmë vuajtjen e madhe dhe ndikimin negativ që kanë luftërat dhe konfliktet në mbarë botën për njerëzimin.
Në lidhje me konfliktet dhe luftërat në vazhdim, ne përsërisim qëndrimet tona kombëtare përkatëse dhe rezolutat e miratuara në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se të gjitha vendet duhet të veprojnë në përputhje me të gjitha qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara. Sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, të gjitha vendet duhet të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës për të fituar territor e të mos cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin ose pavarësinë politike të çdo vendi. Të gjitha palët duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar, duke përfshirë përmbushjen e detyrimeve të tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, dhe të dënojnë të gjitha sulmet kundër civilëve dhe infrastrukturës civile.
Ne jemi thellësisht të shqetësuar për situatën katastrofike humanitare në Gazë dhe situatën në përshkallëzim në Liban, ndërkohë që theksojmë nevojën urgjente për të zgjeruar ndihmën humanitare, për të forcuar mbrojtjen e civilëve dhe për të hequr të gjitha pengesat për shpërndarjen në shkallë të gjerë të ndihmës humanitare. Lufta sjell vuajtje dhe efekte negative për njerëzimin. Ne konfirmojmë të drejtën palestineze për vetëvendosje dhe riafirmojmë mbështetjen tonë për zgjidhjen me dy shtete, sipas së cilës Izraeli dhe Palestina bashkëjetojnë në mënyrë paqësore brenda kufijve të sigurt dhe të njohur në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara. Ne mbështesim vendosjen e menjëhershme të armëpushimit në Gazë dhe në Liban në përputhje me Rezolutën nr. 2735 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në mënyrë që njerëzit në të dy anët e "Vijës Blu" të kenë mundësinë të kthehen të sigurt në shtëpi.
Lidhur me luftën në Ukrainë, ne kujtojmë diskutimet në Nju-Delhi, duke theksuar vuajtjet njerëzore të shkaktuara nga lufta dhe ndikimin negativ në sigurinë globale ushqimore e energjetike, zinxhirët e furnizimit, qëndrueshmërinë makrofinanciare, inflacionin dhe rritjen ekonomike. Ne mirëpresim të gjitha nismat konstruktive përkatëse në mbështetje të paqes gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, mbështesim të gjitha qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe promovojmë paqen, miqësinë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë midis vendeve.
Ne do të përmbushim përgjegjësinë tonë për të ndërtuar një botë më të sigurt pa armë bërthamore dhe do të zbatojmë përgjegjësitë tona. Ne dënojmë terrorizmin në të gjitha format dhe manifestimet e tij.
Zgjidhja paqësore e konflikteve, përpjekjet e ndryshme për zgjidhjen e krizave, si edhe diplomacia e dialogu janë vendimtare. Vetëm në kushte paqësore mund të arrijmë zhvillim dhe lulëzim të qëndrueshëm.
Për të arritur rezultate nga bashkëpunimi, presidenca braziliane ka identifikuar tre fusha me përparësi për punën e G20-ës në vitin 2024: përfshirjen shoqërore dhe luftën kundër urisë e varfërisë; zhvillimin e qëndrueshëm, tranzicionin e energjisë dhe veprimin klimatik, si edhe reformën e institucioneve të qeverisjes globale.
Përfshirja shoqërore dhe lufta kundër urisë dhe varfërisë
Bota prodhon mjaftueshëm ushqim për t'i dhënë fund urisë. G20-a themeloi Aleancën Globale kundër Urisë dhe Varfërisë për të mbështetur zhvillimin e projekteve shtetërore për të pakësuar urinë e varfërinë globalisht dhe për të rigjallëruar partneritetin global për zhvillim të qëndrueshëm, duke përmirësuar produktivitetin bujqësor dhe duke kontribuuar në uljen e humbjeve të ushqimit. Vendet janë të ndërvarura në arritjen e sigurisë ushqimore e të ushqyerjes dhe kërkojnë politika të tregtisë së hapur që janë në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë.
G20-a përsërit mbështetjen e saj për agjendën e zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe pret me padurim mbajtjen e suksesshme të Konferencës së Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit në Spanjë në vitin 2025. Ajo angazhohet për të ndihmuar vendet në zhvillim të integrohen më mirë në zinxhirin industrial global, zinxhirin e vlerës dhe zinxhirin e furnizimit, dhe për të përshpejtuar procesin e industrializimit dhe modernizimit të vendeve në zhvillim.
Korrupsioni ndikon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe lufta kundër korrupsionit dhe promovimi i ndershmërisë do të ndihmojnë në ndërtimin e një bote të drejtë dhe një planeti të qëndrueshëm. G20-a është e vendosur të luajë një rol udhëheqës në luftën kundër korrupsionit global dhe flukseve të paligjshme financiare, dhe do të përdorë maksimalisht rrjetin global të bashkëpunimit të zbatimit të ligjit kundër korrupsionit dhe rrjeteve të tjera të bashkëpunimit.
G20-a vlerëson reformat tatimore të ndërmarra nga anëtarët e saj. Duhet të kërkohet bashkëpunimi mbi premisën e respektimit të plotë të sovranitetit tatimor për të siguruar taksimin efektiv të individëve me vlerë neto ultra të lartë. Për të trajuar sfidat e paraqitura nga digjitalizimi ekonomik në fushën e taksave, duhet të zhvillohen diskutime konstruktive në Kombet e Bashkuara për formulimin e një konvente kuadër për bashkëpunimin ndërkombëtar tatimor dhe protokollet e saj.
Do të bëhen përpjekje për të realizuar raundin e 21-të të rritjes së kapitalit të Shoqatës Ndërkombëtare të Zhvillimit të Bankës Botërore. Faktorë të shumtë si paqëndrueshmëria e tregut, shtrëngimi i kushteve financiare dhe dobësitë e borxhit do të rrisin kostot e financimit. Komunitetit ndërkombëtar i kërkohet të ofrojë mbështetje për vendet me borxh të qëndrueshëm, por që përballen me sfida afatshkurtra të likuiditetit. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore inkurajohen të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje të realizueshme sipas specifikave të vendeve dhe pjesëmarrje vullnetare për t’i ndihmuar këto vende.
Duhet ritheksuar roli kryesor koordinues i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në arkitekturën globale të shëndetit dhe të mbështeten aktivitetet e saj për mbledhjen e fondeve. Duhet të ofrohen shërbime mjekësore dhe shëndetësore me njerëzit në qendër dhe të rivendoset sistemi mjekësor e shëndetësor në një nivel më të lartë se përpara epidemisë në një deri në dy vitet e ardhshme. Duhet të njihet roli i mundshëm i mjekësisë tradicionale, të pranohet kontributi i Fondit të Pandemisë dhe të mbështetet hartimi i një konvente, marrëveshjeje ose instrumenti tjetër ndërkombëtar të OBSh-së për parandalimin, përgatitjen dhe reagimin ndaj pandemive, me premisën e respektimit të plotë të sovranitetit të të gjitha vendeve. Duhet të koordinohet reagimi ndaj shpërthimit të lisë së majmunit dhe emergjencave të tjera të shëndetit publik.
Arsimi dhe trajnimi me cilësi të lartë, duke përfshirë arsimin digjital, luajnë një rol kyç në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Nevojitet të njihet fuqia dhe vlera e brendshme e kulturës në promovimin e unitetit, dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve. Duhet nxitur komuniteti ndërkombëtar që të diskutojë kthimin e trashëgimisë kulturore, përfshirë trashëgiminë kulturore të eksportuar ilegalisht.
Duhet të eksplorohet plotësisht potenciali i teknologjisë digjitale dhe të promovohet ndërlidhja digjitale dhe flukset ndërkufitare të të dhënave, të theksohet roli i rëndësishëm i bashkëpunimit ndërkombëtar të hapur dhe me dobi të ndërsjellë në kërkimin dhe inovacionin. Të gjitha palët mund të përdorin mjete të tilla si shkenca e hapur për të kryer transferimin vullnetar të teknologjisë dhe ndërtimin e kapaciteteve për të nxitur shkëmbimet e studiuesve dhe shkencëtarëve. Nevojitet të mbrohen të drejtat e punëtorëve dhe të fuqizohen punëtorët, të promovohen barazia gjinore e fuqizimi i grave dhe të zbatohen Deklarata e Pekinit e Konferencës Botërore për Gratë. Duhet të forcohet bashkëpunimi ndërkombëtar në reduktimin e fatkeqësive dhe të sigurohet një migrim i sigurt, i rregullt dhe normal.
foto: VCG
Qëndrueshmëria, tranzicioni i energjisë dhe veprimi klimatik
Në fushën e ndryshimeve klimatike, G20-a rikonfirmon përkushtimin e vet ndaj multilateralizmit dhe përgjigjes kundër ndryshimeve klimatike në përputhje me parimet e përgjegjësive dhe aftësive përkatëse të përbashkëta, por të diferencuara. G20-a rikonfirmon gjithashtu objektivin e kontrollit të temperaturës sipas Marrëveshjes së Parisit, që është kontrolli i rritjes së temperaturës mesatare globale brenda 2 gradë Celsius krahasuar me nivelet paraindustriale, dhe bërja e përpjekjeve për ta kufizuar atë në 1.5 gradë Celsius. Duhet të punohet për arritjen e emetimeve globale neto zero të gazeve serrë/asnjanësimit të karbonit deri në mesin e shekullit ose aty afër. Vendet inkurajohen të përcaktojnë objektivat e kontributit të përcaktuar në nivel kombëtar për raundin tjetër.
G20-a do të bashkëpunojë për të promovuar një sistem ekonomik ndërkombëtar të favorshëm e të hapur, për të mbështetur të gjitha vendet në arritjen e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe për t'iu përgjigjur më mirë ndryshimeve klimatike. Masat e marra për të trajtuar ndryshimet klimatike, duke përfshirë masat e njëanshme, nuk duhet të bëhen mjete arbitrare ose të paarsyeshme diskriminimi ose kufizime të maskuara në tregtinë ndërkombëtare. Do të zgjerohet financimi dhe investimet për klimën në vendet në zhvillim. Ekziston nevoja për të rritur me shpejtësi dhe në mënyrë të konsiderueshme financimin e klimës në nivelin e trilionave dollarë dhe të zbatohet udhërrëfyesi i financimit të qëndrueshëm të G20-ës. G20-a mirëpret krijimin e grupit të punës "Mobilizimi Global për Ndryshimet Klimatike" nga presidenca braziliane, mbështet suksesin e Konferencës së 29-të të Palëve të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike dhe mirëpret arritjen e objektivave të reja kolektive të përcaktuara për financimin e klimës.
G20-a mbështet përpjekjet për të trefishuar kapacitetin e instaluar global të energjisë së rinovueshme dhe për të trefishuar normën mesatare vjetore të përmirësimit të rendimentit të energjisë deri në vitin 2030 nëpërmjet synimeve e politikave ekzistuese dhe bazuar në kushtet kombëtare, duke mbështetur në përputhje me rrethanat projekte të tjera me lëshim zero deri në vitin 2030, dhe duke zbatuar projekte të teknologjive me lëshime të ulëta, duke përfshirë teknologjitë e reduktimit dhe heqjes së karbonit. Duhet të anulohen dhe të rregullohen subvencionet joefikase të karburanteve fosile që inkurajojnë mbetjet, duke mbështetur zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm për lëndët e para, gjysmëpërçuesit dhe teknologjitë kyçe.
Nevojitet të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe efektive Korniza e Biodiversitetit Global Kunming-Montreal, të menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme pyjet dhe të luftohet shpyllëzimi, të ndiqen rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë e marrëveshjet shumëpalëshe mjedisore dhe të shmangen politikat diskriminuese ekonomike të gjelbra. Duhet të ndiqen modele të qëndrueshme prodhimi e konsumi dhe një stil jetese i qëndrueshëm, duke i dhënë fund ndotjes plastike. G20-a mbështet Konferencën e Tretë të Oqeaneve të Kombeve të Bashkuara më 2025 dhe do të vazhdojë zbatimin e Nismës së Bioekonomisë të G20-s deri më 2025.
Reforma e institucioneve të qeverisjes globale
Sfidat me të cilat përballet komuniteti ndërkombëtar mund të trajtohen vetëm me mjete shumëpalëshe. G20-a është e përkushtuar për rigjallërimin dhe forcimin e sistemit shumëpalësh, duke iu përmbajtur qëllimeve dhe parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar, dhe duke i bërë institucionet përkatëse ndërkombëtare më përfaqësuese e efektive.
Në fushën e reformës së Kombeve të Bashkuara, duhet të rigjallërohet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, të forcohet roli i saj si organi kryesor diskutues, vendimmarrës dhe përfaqësues i Kombeve të Bashkuara dhe të forcohet Këshilli Ekonomik e Shoqëror dhe Komisioni i Vendosjes së Paqes. Duhet të promovohet Sekretariati i Kombeve të Bashkuara që të jetë më përfaqësues dhe që ta përzgjedhë stafin në përputhje me parimin e shpërndarjes së barabartë gjeografike. Duhet të reformohet Këshilli i Sigurimit i OKB-së për ta bërë atë të përshtatet me realitetet dhe nevojat e shekullit të 21-të dhe të jetë më përfaqësues, gjithëpërfshirës e efektiv, duke përmirësuar metodat e tij të punës. G20-a bën thirrje për zgjerimin e përbërjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të rritur përfaqësimin e rajoneve dhe grupeve të nënpërfaqësuara e të papërfaqësuara, si Afrika, Azi-Paqësori, Amerika Latine dhe Karaibet.
Në fushën e reformës financiare ndërkombëtare, G20-a do të zbatojë udhërrëfyesin e reformës së Bankës Botërore dhe do të mobilizojë më shumë fonde për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. G20-a mirëpret rishikimin e kapitalit të Bankës Botërore për vitin 2025, forcimin e përfaqësimit dhe zërit të vendeve në zhvillim në bankat e zhvillimit shumëpalësh dhe institucione të tjera ekonomike e financiare ndërkombëtare dhe shtimin e vendeve për Afrikën në Bordin Ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Për të krijuar një Fond Monetar Ndërkombëtar të fortë, të bazuar në kuota dhe burime të mjaftueshme, G20-a mirëpret që FMN-ja të formulojë një plan për rregullimin e kuotave përpara qershorit 2025, duke përfshirë miratimin e një formule të re kuotash. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka arritur një moment historik duke huazuar 100 miliardë dollarë amerikanë në të drejta speciale të tërheqjes për vendet në nevojë. Palët e mirëpresin përparimin e bërë nga G20-a në zbatimin e Kornizës së Përbashkët për Zgjidhjen e Borxhit dhe respektojnë të gjitha angazhimet e marra në Kornizën e Përbashkët, duke përfshirë paragrafin e fundit.
Në fushën e reformës së tregtisë ndërkombëtare, duhet të ndërtohet një sistem tregtar shumëpalësh me Organizatën Botërore të Tregtisë në thelb, të bazuar në rregulla, jodiskriminues, të drejtë, të hapur, përfshirës, të barabartë, të qëndrueshëm dhe transparent, duhet të sigurohet një konkurrencë e ndershme në përputhje me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe të krijohet një mjedis i favorshëm i tregtisë dhe investimeve për të gjithë. G20-a mbështet reformat e nevojshme në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe krijimin e një mekanizmi të plotë dhe mirëfunksional për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ku mund të kenë qasje të gjithë anëtarët, deri në vitin 2024.
foto: VCG
Në fushën e inteligjencës artificiale, G20-a përpiqet që inteligjenca artificiale të përdoret për mirë dhe prej saj të përfitojnë të gjithë, duke i zgjidhur sfidat e ndryshme në një mënyrë të përgjegjshme, gjithëpërfshirëse dhe me njeriun në qendër. Duhet të promovohet një qeverisje e AI-së që është e favorshme për inovacionin. G20-a e njeh rolin e Kombeve të Bashkuara e të forumeve të tjera për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar për inteligjencën artificiale, duke përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale për të fuqizuar zhvillimin e qëndrueshëm. G20-a bën thirrje për mbështetje në krijimin e kapaciteteve në vendet në zhvillim dhe mirëpret nismat ndërkombëtare për të mbështetur përpjekjet e mësipërme. Task Forca e Inteligjencës Artificiale e G20-s do të krijohet deri në vitin 2025.
Krijimi i një G20-e gjithëpërfshirëse dhe efektive
G20-a mirëpret Bashkimin Afrikan të bëhet një anëtar zyrtar i saj dhe është e përkushtuar për të mbështetur vendet afrikane nëpërmjet Nismës së G20-ës për Mbështetjen e Industrializimit të Afrikës dhe Vendeve më Pak të Zhvilluara (e publikuar në Samitin e Hangzhou-t).
G20-a është një organizatë jozyrtare e drejtuar nga udhëheqësit. Koordinatorët e secilit anëtar do të vlerësojnë punën e rotacionit të parë të kryesimit dhe do të bëjnë sugjerime për punën e rotacionit të ardhshëm, duke përfshirë marrëveshjet për kryesimet e ardhshme.
Të gjitha palët falënderojnë Brazilin që luajti një rol udhëheqës në G20 këtë vit dhe mirëpresin dëshirën e Arabisë Saudite për të marrë kryesimin e G20-ës përpara afatit. Palët presin të punojmë së bashku gjatë presidencës së Afrikës së Jugut më 2025 dhe të takohen përsëri në Shtetet e Bashkuara më 2026.