Biden lejon Ukrainën të përdorë armët amerikane (Foto RTSH)
Presidenti Joe Biden ka autorizuar Ukrainën të përdorë një armë të fuqishme amerikane me rreze të gjatë për sulme të kufizuara brenda Rusisë në përgjigje të vendosjes së mijëra trupave të Koresë së Veriut për të ndihmuar Moskë në luftën ndaj Ukrainës, shkruan rtsh.al.
Referuar dy zyrtarëve të lartë amerikanë, mediat amerikane bëjnë të ditur se lehtësimi i kufizimeve për lejimin e Kievit për të përdorur Sistemin Raketor Taktik të Ushtrisë, për të goditur objektivat brenda Rusisë është një ndryshim i rëndësishëm në politikën e SHBA-së.
Ai vjen pasi rreth 10 mijë trupa elitë të Koresë së Veriut janë dërguar në Kursk, një rajon i Rusisë përgjatë kufirit verior të Ukrainës, për të ndihmuar forcat e Moskës të rimarrin territorin e fituar nga Ukraina. Administrata Biden druhet se Koreja së Veriut mund të dërgojë edhe më shumë forca drejt Rusisë për të luftuar në Ukrainë.
Vendimi i Bidenit, i paraprin rikthimit në Shtëpinë e Bardhë të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili ka sinjalizuar se synon t'i japë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës, megjithëse nuk ka ofruar detaje se si do ta bëjë këtë.