Foto nga VCG
Liderët e rreth 200 vendeve në të gjithë botën janë mbledhur në Baku të Azerbajxhanit për Samitin e Klimës COP29 që zhvillohet çdo vit nga Kombet e Bashkuara, shkruan “RTSH”.
Samiti për klimën do të zhvillohet deri më 22 nëntor, ku pritet që vendet të negociojnë mënyrat për të trajtuar shkaqet rrënjësore të ndryshimeve klimaterike. Qeveritë do të diskutojnë se si të kufizojnë dhe përgatiten për ndryshimet e ardhshme klimaterike.
Konferenca do të jetë një mundësi për vendet që të tregojnë se si planifikojnë të mbajnë rritjen afatgjatë të temperaturës globale në objektivin 1.5 gradë celsius, të vendosur në Marrëveshjen e Parisit në vitin 2015.
Sipas parashikimeve nga Shërbimi Europian i Klimës, 2024-a pritet të përfundojë si viti më i nxehtë i regjistruar në botë, i shoqëruar nga i nxehti ekstrem dhe stuhi vdekjeprurëse.
Midis viteve 2014 dhe 2023, bota ishte mesatarisht rreth 1.2 gradë celsius më e ngrohtë se në fund të shekullit të 19-të, sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, por viti 2024 do të jetë i pari që do të shkelë kufirin e ngrohjes globale prej 1.5 gradë celsius.
Një rritje mesatare globale e temperaturës prej 1.2 gradë celsius ka sjelle efekte të mëdha në mjedis dhe ndryshimin e klimës si: moti ekstrem më i shpeshtë dhe intensiv, i nxehti përvëlues dhe reshjet e dendura të shiut, shkrirja e shpejtë e akullnajave duke kontribuar në ngritjen e nivelit të detit dhe oqeane më të ngrohta, që mund të nxisin stuhi dhe uragane më intensive.
Moti po ndikon edhe në cilësinë e jetës së njerëzve. Në 2022, pjesë të Afrikës Lindore pësuan thatësirën më të keqe për 40 vjet, duke vënë më shumë se 20 milionë njerëz në rrezik nga uria. Ndërsa në Europë janë rritur vdekjet si pasojë e të nxehtit ekstrem në të gjithë kontinentin.