Foto nga VCG
Një raport i ri mbi efektet e ndryshimeve klimaterike tregon se sipërfaqja e tokës e prekur nga thatësira ekstreme është trefishuar që nga vitet 1980.
48 për qind e sipërfaqes së tokës pati të paktën një muaj thatësirë ekstreme vitin e kaluar, sipas analizës nga “Lancet Countdoën on Health and Climate Change”, nga një mesatare prej 15% gjatë viteve 1980, shkruan “RTSH”.
Pothuajse një e treta e botës, 30%, përjetoi thatësirë ekstreme për tre muaj ose më gjatë në vitin 2023. Në vitet 1980, mesatarja ishte 5%.
Studimi i ri ofron disa nga të dhënat më të përditësuara globale mbi thatësirën, duke treguar se sa shpejt po përshpejtohet. Pragu për thatësirë ekstreme arrihet pas gjashtë muajsh me reshje shumë të ulëta ose nivele shumë të larta avullimi nga bimët dhe toka.
Kjo paraqet një rrezik të menjëhershëm për ujin dhe kanalizimet, sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik dhe mund të ndikojë në furnizimin me energji, rrjetet e transportit dhe ekonominë.
Shkaqet e thatësirave janë të ndërlikuara, sepse ka shumë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në disponueshmërinë e ujit, nga ngjarjet natyrore të motit deri te mënyra se si njerëzit përdorin tokën.
Por ndryshimi i klimës po ndryshon modelet globale të reshjeve, duke i bërë disa rajone më të prirura ndaj thatësirës.
Në 10 vitet e fundit, 61% e botës pa një rritje të reshjeve ekstreme, krahasuar me një mesatare bazë nga 1961-1990.
Thatësira ekspozoi 151 milionë më shumë njerëz ndaj pasigurisë ushqimore vitin e kaluar, krahasuar me vitet 1990, e cila ka kontribuar në kequshqyerjen. Vdekjet e lidhura me nxehtësinë për personat mbi 65 vjeç u rritën me 167% krahasuar me vitet 1990.