Irani: Do t’i përgjigjemi sulmeve, po nuk kërkojmë luftë me Izraelin
2024-10-29 11:19:16

Presidenti iranian (Foto Rtsh)

Irani u zotua se do t'i përgjigjet sulmeve të Izraelit këtë fundjavë, nga të cilat, sipas autoriteteve, u vranë pesë persona. Por, bëri të ditur se nuk dëshiron një luftë më të gjerë, shkruan “RTSH”.

“Nuk kërkojmë luftë, por do të mbrojmë të drejtat e popullit dhe kombit dhe do t'i japim përgjigjen e duhur agresionit të entitetit sionist”,- deklaroi presidenti Masoud Pezeshkian, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Iranit, “IRNA”.

Ai paralajmëroi se tensionet do të përshkallëzohen nëse Izraeli vazhdon agresionin dhe krimet e tij dhe akuzoi SHBA-në për provokimin e regjimit në kryerjen e këtyre krimeve.

“IRNA” citoi gjithashtu ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, të thoshte se Irani nuk po kërkon luftë, por se do t'i përgjigjet çdo agresioni nga Izraeli në kohën e duhur.

Izraeli ka bërë të ditur se sulmet e tij ndaj Iranit të shtunën goditën objektiva ushtarake dhe ishin në përgjigje të sulmeve iraniane ndaj Izraelit në fillim të këtij muaji.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Herzi Halevi, paralajmëroi të dielën se çdo kërcënim kundër vendit të tij do të trajtohej ushtarakisht. Sipas tij, Izraeli kishte përdorur vetëm një pjesë të aftësive të tij ushtarake gjatë sulmeve të së shtunës në Iran.