Ngritja kolektive e tregjeve në rritje dhe e vendeve në zhvillim, të përfaqësuara nga BRICS-i, po ndryshon thelbësisht mjedisin global. Sipas një sondazhi të kryer nga CGTN-i në bashkëpunim me Universitetin Renmin të Kinës nëpërmjet Institutit të Komunikimit Ndërkombëtar "Epoka e Re", ndër 1 634 pjesëmarrës nga vendet e BRICS-it, shumica besojnë se fuqia e BRICS-it i ka dhënë impuls qeverisjes globale. Ata mendojnë që është e domosdoshme të nxitet ndërtimi i një rendi ndërkombëtar më të drejtë dhe më të arsyeshëm.
Në botën e sotme, globalizimi ekonomik po ndeshet me sfida, teksa konfliktet ndërmjet multilateralizmit e unilateralizmit, si edhe ndërmjet barazisë e hegjemonisë, po bëhen gjithnjë e më të theksuara. Ndryshimi i zhvillimit ndërmjet Veriut Global dhe Jugut vazhdon të thellohet. Natyra institucionale dhe kontradiktat e rrënjosura thellë të rendit ndërkombëtar të mbizotëruar nga një numër vendesh të zhvilluara, po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Promovimi i ndërtimit të një rendi të ri ndërkombëtar që është më i drejtë dhe më i arsyeshëm, është bërë aspirata e fortë e vendeve të BRICS-it.
96.2 për qind e atyre që iu përgjigjën sondazhit, besojnë se vendet e ndryshme duhet të marrin pjesë në mënyrë të barabartë në çështjet ndërkombëtare dhe të punojnë së bashku për të vendosur një sistem dhe rend ndërkombëtar. 72.6 për qind përkrahin reformimin e nevojshëm të rregullave ndërkombëtare të tanishme, të cilat mbizotërohen kryesisht nga vendet e zhvilluara. Përveç kësaj, pjesëmarrësit nga vendet e BRICS-it kanë shpresa të mëdha te Kombet e Bashkuara si thelbi i sistemit ndërkombëtar, dhe 83.9 për qind i kërkojnë OKB-së t'u kushtojë më shumë vëmendje interesave e kërkesave të vendeve të Jugut Global.
Në përgjigje të pyetjes "Cilat aspekte kryesore të rendit ndërkombëtar kanë nevojë për reformë urgjente", të anketuarit nga vendet e BRICS-it shprehën shpresa më të larmishme dhe më të ngutshme. 63.6 për qind kërkuan më shumë transparencë në vendimin e organizatave ndërkombëtare, 60.2 për qind nxitën një përfaqësim më të madh dhe zë më të fortë për vendet në zhvillim në çështjet ndërkombëtare, 56.8 për qind shprehën besimin se vendet e ndryshme duhet të respektojnë autoritetin e ligjit ndërkombëtar, kurse 55.9 për qind kërkojnë që institucionet, si Këshilli i Sigurimit i OKB-së, të forcojnë bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërkombëtar.
Po ashtu pjesëmarrësit në sondazh nga vendet e BRICS-it vlerësuan lart filozofinë e zhvillimit të Kinës për modernizimin. 89.4 për qind ranë dakord se zhvillimi është detyra kryesore për vendet në zhvillim; 88.6 për qind vlerësuan parimin e zhvillimit "të përqendruar te njerëzit", duke pohuar se vendet e ndryshme duhet të sigurojnë dhe përmirësojnë mjetet e jetesës së njerëzve; 93.6 për qind mbështetën praktikën e orientuar nga veprimi, duke kërkuar që vendet të thellojnë bashkëpunimin praktik dhe të nxisin së bashku zhvillimin botëror, ndërsa 89.8 për qind miratuan strategjinë e drejtuar nga inovacioni të propozuar nga Kina, duke pritur me padurim që të përfitojnë nga mundësitë e reja të sjella revolucioni më i fundit teknologjik për të eksploruar shtysat e reja të rritjes ekonomike.
Përveç kësaj, 49.6 për qind nga pjesëmarrësit kundërshtojnë përdorimin e sanksioneve ushtarake kundër vendeve të tjera, 48.7 për qind shpresojnë në pakësimin e dallimeve Veri-Jug nëpërmjet ndihmës ndërkombëtare, ndarjes së njohurive dhe transferimit të teknologjisë dhe 45.8 për qind kërkojnë pakësimin e pengesave tregtare dhe masave proteksioniste.