Shqipëria me normat më të ulëta të fertilitetit në Europë
2024-10-16 16:52:51

Normat e lindshmërisë kanë rënë me shpejtësi vitet e fundit, duke e renditur Shqipërinë si një nga vendet me normat më të ulëta të fertilitetit në Europë. Eurostati përllogariti se Vlora është në mesin e 9 rajoneve të vogla në Europë me normën më të ulët të lindshmërisë për grua (numri i lindjeve për gratë në moshë riprodhimi) sipas të dhënave që i përkasin 2022-shit.

Bebe (Foto Panorama)

Bebe (Foto Panorama)

Fertiliteti në Vlorë është më pak se 1 fëmijë për grua. Italia, Spanja, Polonia, Shqipëria dhe Greqia kanë nivelet më të ulëta të lindshmërisë, ndërsa Franca është shteti europian me normat më të larta të fertilitetit, shkruan “Panorama”.

Të dhënat e brendshme të INSTAT-it tregojnë se gjatë vitit 2022, norma e fertilitetit në rang kombëtar ra në 1.21 fëmijë për grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte në vitin 2021. Kjo është rënia më e fortë që nga viti 2015, por në qarqet e Vlorës dhe Korçës shkalla e fertilitetit ishte më pak se një fëmijë për grua në moshë riprodhimi.

Normat më të larta të lindshmërisë i kanë qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Lezhës.

Indeksi i fertilitetit është përkeqësuar shumë në rajonin e qendrës dhe Jugut dhe paraqitet pak më mirë në veri të vendit.

Edhe Tirana e cila ka një popullsi të re në moshë në rang kombëtar ka lindshmëri të ulët me më pak se 135 fëmijë për 100 gra në moshë riprodhimi.

Indeksi i fertilitetit është nën normën e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten.

Shtyrja e moshës për martesë, synimet për karrierë dhe në shumë raste pamundësitë ekonomike po bëjnë që gratë shqiptare të lindin gjithnjë e më pak fëmijë.

Normat e lindshmërisë kanë rënë në mënyrë të qëndrueshme në këto tre dekada, por në dy vitet e fundit janë përshpejtuar, duke sinjalizuar përkeqësim të fenomenit në vitet e ardhshme.