AKSK, konferencë për strategjitë në mbrojtjen e hapësirës digjitale në Shqipëri
2024-10-12 16:16:41

Autoriteti Kombetar per Sigurine Kibernetike (Foto Autoriteti Kombetar per Sigurine Kibernetike Facebook)

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (Foto Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Facebook)

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) organizoi Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, ku morën pjesë ekspertë nga sektorët publikë dhe privatë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe partnerë ndërkombëtarë, për të diskutuar sfidat dhe strategjitë në mbrojtjen e hapësirës digjitale të Shqipërisë, shkruan “ATSH”.

Konferenca kishte për qëllim bashkimin e forcave mes aktorëve, për të ndarë përvojat dhe njohuritë për të diskutuar zgjidhje të shumta inovative dhe për të rritur e forcuar sistemin kibernetik në vend.

Drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Igli Tafa, tha se progresi i bërë në fushën e digjitalizimit dhe vizioni i qeverisë për t’i dhënë një komoditet qytetarëve, duke i ofruar mundësinë e aksesimit të shërbimeve publike përmes teknologjisë, duhet të shkonte bashkëngjitur me sigurinë kibernetike.

Sipas tij, siguria kibernetike është e lidhur me stabilitetin dhe sigurinë e vendit në aspektin financiar, ekonomik, të ambientit, fushën ushtarake, etj., në të cilët teknologjia është prezente.

Ai tha se me ligjin e ri të sigurisë kibernetike Shqipëria është një ndër katër vendet në Europë që ka implementuar ligjin bazuar në direktivën më të fundit të BE-së për këtë fushë.

Tafaj foli për projektet e së ardhmes në forcimin e sigurisë kibernetike, duke theksuar se agjencia ka një projekt të qartë për mbrojtjen e hapësirës kibernetike duke futur kategori të ndryshme.

Panelet e konferencës trajtuan një sërë temash kyçe për forcimin e sigurisë kibernetike. Diskutimet u fokusuan në mbrojtjen e infrastrukturave kritike, përmirësimin e sigurisë në sektorët e energjisë dhe financave, si dhe në përmirësimin e teknologjive mbrojtëse.

Një nga panelet u përqendrua në përfitimet e Shqipërisë nga implementimi i direktivës NIS2 dhe sfidat e zbatimit të saj, ndërsa një tjetër panel theksoi rëndësinë e ndarjes së informacionit mbi kërcënimet kibernetike me partnerët rajonalë për një qasje të koordinuar dhe të unifikuar në rajonin e Ballkanit.

Konferenca trajtoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me partnerët rajonalë dhe globalë për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë kibernetike.