Foto nga CFP
Gjatë festës së Ditës Kombëtare, nga 1 deri më 7 tetor, Pekini vendosi rekorde të reja si për numrin e turistëve ashtu edhe për të ardhurat totale nga turizmi.
Të dhënat nga Zyra komunale e Kulturës dhe Turizmit tregojnë se gjatë kësaj periudhe, kryeqyteti kinez priti 21.6 milionë vizitorë, duke shënuar një rritje vjetore prej 18.35 për qind. Ndërsa, të ardhurat totale nga turizmi arritën në rreth 26.9 miliardë juanë (rreth 3.8 miliardë dollarë amerikanë), një rritje prej 11.67 për qind krahasuar me vitin e kaluar, shkruan “Xinhua”.
Si një qendër kulturore e gjallë, ku ndodhen zona ikonike historike, si Qyteti i Ndaluar dhe Muri i Madh, përzierja e traditave antike dhe zhvillimit modern e bën Pekinin një destinacion magjepsës për turistët që kërkojnë të zhyten në kulturën kineze.
Boshti Qendror i Pekinit, një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s i njohur rishtazi, që shtrihet 7.8 kilometra në zemrën e tij, u ofron vizitorëve një perspektivë të re nga e cila mund të eksplorojnë qytetin në këmbë.
Interesi i turistëve për të vizituar vendndodhjet përgjatë këtij aksi është rritur ndjeshëm, ku prenotimet janë rritur me 69 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa strategjia e rigjallërimit rural të Kinës vazhdon të përparojë, infrastruktura më e mirë, shërbimet dhe një sërë aktivitetesh të larmishme i kanë bërë udhëtimet afatshkurtra të popullarizuara në mesin e turistëve vitet e fundit.
Gjatë periudhës së festave, zonat rurale të Pekinit pritën rreth 4.5 milionë turistë, një rritje prej 13.6 për qind në baza vjetore, me të ardhurat operative që arritën në 602 milionë juanë, 4.5 për qind më shumë nga periudha e mëparshme e festës së Ditës Kombëtare.
Përveç kësaj, gjatë festës njëjavore, institucionet publike kulturore në të gjithë Pekinin organizuan gjithsej 855 aktivitete, duke përfshirë ekspozita, leksione kulturore, aktivitete leximi, trajnime arti dhe përvoja të trashëgimisë kulturore jomateriale, duke tërhequr 446.900 pjesëmarrës.
Po ashtu, u realizuan 2071 shfaqje komerciale, 14 për qind më e lartë se shifra për të njëjtën periudhë të një viti më parë. (Elona)