Kina ka pasur përparime të mëdha në mbrojtjen e mjedisit gjatë 75 viteve të fundit
2024-10-06 11:44:50

Kina ka bërë përparime të jashtëzakonshme në mbrojtjen ekologjike dhe mjedisore gjatë 75 viteve të fundit, duke rritur raportin e mbulimit të gjelbër, duke përmirësuar sistemin për zonat e mbrojtjes natyrore, duke mbrojtur më mirë speciet e kafshëve të egra dhe habitatet e tyre, si dhe duke përmirësuar kontrollin e ndotjes së ajrit, shkruan “Xinhua”.

Në ditët e para të themelimit të Republikës Popullore të Kinës, raporti i mbulimit të gjelbër të qarkut Youyu, i ndodhur në skaj të shkretëtirës Maowusu, ishte më pak se 0.3 për qind. Përpjekjet e vazhdueshme të pushtetit vendor dhe banorëve për pyllëzim gjatë shtatë dekadave të fundit e kanë rritur raportin e mbulimit të gjelbër të qarkut në 57 për qind.

Dikur tokë djerrë, tani është kthyer në një oaz në shkretëtirë.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Historia e qarkut Youyu mishëron përpjekjet kombëtare të Kinës për ta bërë vendin më të gjelbër.

Shkalla e mbulimit të pyjeve të Kinës është rritur në mbi 24 për qind nga vetëm 8.6 për qind rreth 70 vjet më parë.

Sipas të dhënave nga Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit, vendi ka kontribuar me rreth një të katërtën e sipërfaqes totale të gjelbër të re në botë që nga fillimi i këtij shekulli.

Në vitin 1978, Kina zbatoi Programin e Pyjeve të Brezit Strehues, i cili ka frenuar zgjerimin e shkretëtirëzimit dhe është bërë një mur i madh i gjelbër për të parandaluar stuhitë e rërës, për të ruajtur ujin dhe tokën, si dhe për të mbrojtur bujqësinë në disa zona të Kinës. Deri në vitin 2020, përmes programit pati një pyllëzim prej 480 milionë mu (32 milion hektarë) tokë, menaxhim të 1.28 miliardë mu kullota të degraduara dhe shkalla e mbulimit të pyjeve në këto rajone u rrit nga rreth 5 për qind në vitin 1978 në rreth 14 për qind vite më pas.

Pasi Dinghushan u bë rezervati i parë natyror i Kinës për të ruajtur pyjet parësore dhe për të mbrojtur biodiversitetin në vitin 1956, Kina gradualisht krijoi rreth 10.000 zona të mbrojtjes natyrore në të gjitha nivelet, duke përfshirë rezervatet natyrore, parqet pyjore, vendet e trashëgimisë natyrore dhe gjeoparket.

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Vendi i kushton rëndësi të madhe ruajtjes së biodiversitetit, siç dëshmohet nga të qenit ndër vendet e para që nënshkruan dhe ratifikuan Konventën për Diversitetin Biologjik.

Në vitin 2021, Kina krijoi parqet e saj të para kombëtare, duke mbuluar një sipërfaqe toke të mbrojtur prej 230.000 km katrorë. Këto parqe, duke përfshirë Parkun Kombëtar Sanjiangyuan, Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante dhe Parkun Kombëtar Wuyishan, kanë gati 30 për qind të specieve kryesore të kafshëve të egra tokësore të vendit. Progresi në këto parqe kombëtare e ka bërë të dukshme mbrojtjen e biodiversitetit kur merren parasysh numrat e përfshirë. Të dhënat zyrtare tregojnë se 90 për qind e llojeve të ekosistemit tokësor të Kinës dhe 74 për qind e popullatave kryesore të mbrojtura të kafshëve të egra dhe specieve bimore tani janë të mbrojtura në mënyrë efektive.

Mbrojtja e mjedisit ka qenë një prioritet i lartë për Kinën qëkur Këshilli i Shtetit mblodhi konferencën e parë kombëtare për këtë çështje në vitin 1973.

Pas prezantimit të një plani veprimi për parandalimin dhe kontrollin e ndotjes së ajrit në vitin 2013, Kina u bë vendi i parë në zhvillim në botë që imponoi përpjekje në shkallë të gjerë për të reduktuar densitetin e PM2.5. Vendi ka pasur përmirësim të shpejtë në cilësinë e ajrit, me 203 qytete, ose rreth 60 për qind e totalit të qyteteve, që përmbushën standardin e cilësisë së ajrit në vitin 2023, sipas Ministrisë së Ekologjisë dhe Mjedisit.

Kina ka bërë gjithashtu hapa të rëndësishëm në mbrojtjen e ekologjisë ujore të pellgjeve kryesore të lumenjve, me cilësinë kombëtare të ujit që vazhdon të përmirësohet.

Të dhënat zyrtare treguan se investimi total i vendit në kontrollin e ndotjes së mjedisit arriti në 901.4 miliardë juanë (rreth 128.64 miliardë dollarë amerikanë) në vitin 2022, krahasuar me vetëm 2.5 miliardë deri në 3 miliardë juanë në vit në fillim të viteve 1980. (Irma)