Foto VCG
Renminbi (RMB) është përdorur më shpesh në tregtinë ndërkufitare në tetë muajt e parë të vitit, mes pranisë në rritje të monedhës kineze në tregun global, tregoi një raport i Bankës Popullore të Kinës për vitin 2024, shkruan “Xinhua”.
Sipas raportit, pagesat dhe arkëtimet ndërkufitare të monedhës kineze u rritën me 21.1 për qind në baza vjetore në 41.6 trilionë juanë (5.94 trilionë dollarë amerikanë) në periudhën janar-gusht.
Në raport thuhet se gjatë kësaj periudhe, pagesat dhe arkëtimet ndërkufitare të monedhës kineze në tregtinë e mallrave përbënin 26.5 për qind të shlyerjes totale të monedhave vendase dhe të huaja në të njëjtën periudhë, nga 24.8 për qind në vitin 2023.
Për tregtinë e shërbimeve, përdorimi ndërkufitar i RMB-së u rrit me 22.3 për qind në baza vjetore në 1.2 trilionë juanë, duke përbërë 31.8 për qind të totalit.
Raporti gjithashtu vuri në dukje përmirësime në funksionin e RMB-së për sa i përket investimeve dhe financimit. Deri në fund të gushtit, investitorët e huaj mbanin rreth 4.6 trilionë juanë obligacione kineze, që përbënin 2.7 për qind të totalit të obligacioneve vendase në ruajtje.
Shlyerja ndërkufitare e RMB-së për mallrat kryesore arriti në 1.5 trilionë juanë në periudhën e raportimit tetëmujor, një rritje prej 22.7 për qind në baza vjetore.
Banka Qendrore premtoi se do të përmirësojë marrëveshjet themelore institucionale për përdorimin ndërkufitar të RMB-së, do të hapë më tej tregun financiar, do të forcojë infrastrukturat financiare dhe do të përmirësojë rregullimin mbi bizneset ndërkufitare. (Irma)