Foto VCG
I dërguari kinez i bëri thirrje të premten Këshillit të Sigurimit të OKB-së që t'i kushtojë vëmendje hetimeve për shpërthimet e gazsjellësit Rjredha Veriore (Nord Stream), për të mos lejuar që ato të zbehen, si edhe t'i japë fund standardeve të dyfishta.
Tubacionet Nord Stream shpërthyen dy vjet më parë në Detin Baltik. Kjo gjë pati pasoja serioze negative në furnizimet globale të energjisë, ekosistemet dhe sigurinë e transportit detar, tha Geng Shuang, zëvendës përfaqësues i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, gjatë Konferencës së Këshillit të Sigurimit.
Dy vitet e fundit, komuniteti ndërkombëtar ka ndjekur me shumë interes ecurinë e hetimeve për incidentin, tha ai, duke shtuar se Këshilli ka zhvilluar diskutime të shumta me anëtarët e tij, të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për "hetime objektive, të paanshme dhe profesionale.
“Fatkeqësisht, ende nuk kemi arritur në një përfundim”, tha ai.
“Dy vjet më pas, rezultati është se Suedia dhe Danimarka kanë njoftuar ndërprerjen e hetimeve të tyre. Informacioni që ata dhanë është i pakët dhe pa detaje”, tha ai, duke shtuar se ndërkohë hetimi kombëtar i Gjermanisë nuk ka nxjerrë ende asnjë përfundim.
Geng tha se Kina mbështet draftin e deklaratës presidenciale të shpërndarë nga Rusia për shpërthimet e gazsjellësit Nord Stream. Ajo mirëpret ndryshimet dhe rregullimet që Rusia i ka bërë draftit, në dritën e komenteve të anëtarëve të Këshillit. Ai shprehu shpresën se të gjitha palët duhet të intensifikojnë konsultimet dhe të arrijnë sa më parë një marrëveshje për draftin, në mënyrë që të dërgohen sinjale të qartë për botën. (Elona)