Xi dhe Putin shkëmbejnë mesazhe urimi për 75-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Kinë-Rusi
2024-10-02 11:57:44

Presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij rus Vladimir Putin shkëmbyen mesazhe urimi për 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.

Në mesazhin e tij, Xi Jinping-u vuri në dukje se Kina dhe Rusia janë vendet fqinje më të mëdha në botë, dy vende të mëdha dhe dy tregje të reja kryesore. "Gjatë 75 vjetëve që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike, duke u bazuar në interesat themelore të të dy vendeve e të popujve të tyre dhe në përvojën historike, marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve janë përmirësuar vazhdimisht. Miqësia e përhershme dhe bashkëpunimi strategjik gjithëpërfshirës me përfitime të ndërsjella janë bërë tiparet thelbësore të marrëdhënieve dypalëshe," u shpreh ai.

Foto nga CMG

Foto nga CMG

Kreu i shtetit i Kinës shtoi që, veçanërisht në epokën e re, nën udhëheqjen strategjike të përbashkët të tij dhe presidentit Putin, përballë ndryshimeve të mëdha që nuk janë parë që prej një shekulli, besimi politik dypalësh është thelluar vazhdimisht, bashkëpunimi praktik ka dhënë rezultate të dukshme dhe miqësia brez pas brezi është rrënjosur thellësisht në zemrat e njerëzve. Kjo ka dhënë kontribute të rëndësishme për përmirësimin e mirëqenies së popujve të të dy vendeve, për promovimin e një bote shumëpolare të barabartë e të rregullt dhe për një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës.

Xi theksoi më tej se i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-ruse dhe është i gatshëm të punojë së bashku me presidentin Putin, duke e shfrytëzuar 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve si një mundësi për të ndjekur me vendosmëri drejtimin e përparimit të marrëdhënieve dypalëshe, për të zgjeruar vazhdimisht bashkëpunimin praktik gjithëpërfshirës, për të promovuar së bashku zhvillimin me cilësi të lartë dhe modernizimin e të dy vendeve, si edhe për të dhënë kontribute të reja për ruajtjen e paqes e të qëndrueshmërisë botërore dhe për ndërtimin e një bashkësie me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.

Nga ana e tij, presidenti rus Vladimir Putin shprehu urimet më të sinqerta me rastin e 75-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Rusisë dhe Kinës. Sipas tij, 75 vjet më parë, Rusia ishte vendi i parë në botë që njohu Republikën Popullore të Kinës dhe vendosi shpejt marrëdhënie të ngushta bashkëpunimi me të. Marrëdhëniet e ngushta dhe me përfitime të ndërsjella ndërmjet Rusisë e Kinës e kanë kaluar me sukses sprovën e kohës. Aktualisht, marrëdhëniet ruso-kineze janë në nivelin më të lartë historik. Të dy palët po zhvillojnë në mënyrë aktive bashkëpunimin në fusha të tilla si politika, ekonomia e tregtia, shkenca e teknologjia, dhe po bashkërendohen me efikasitet në çështjet ndërkombëtare e rajonale, duke iu përkushtuar së bashku ndërtimit të një rendi botëror shumëpolar dhe të drejtë. "Unë besoj se të dy palët do të zbatojnë plotësisht konsensusin e arritur gjatë takimeve të mia me Presidentin Xi, do të forcojnë më tej partneritetin e gjithanshëm strategjik të bashkërendimit Kinë-Rusi për epokën e re dhe do të promovojnë sigurinë dhe qëndrueshmërinë në kontinentin euroaziatik e në botë," vuri në dukje presidenti Putin.