Foto VCG
Udhëheqësit e shumë vendeve të Amerikës Latine dhe të Azi-Paqësorit i dërguan kohët e fundit mesazhe ose letra urimi presidentit kinez Xi Jinping, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK), për 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës (RPK).
Presidenti brazilian Luiz Inacio Lula da Silva u shpreh se marrëdhëniet Brazil-Kinë shtrihen përtej lidhjeve dypalëshe dhe ndajnë vlera e interesa të gjera të përbashkëta, duke shërbyer si një shembull i qëndrueshmërisë në një botë të trazuar dhe të mbushur me konflikte. Ai vuri në dukje që Brazili është i gatshëm të punojë me Kinën për të nxitur zhvillimin e thelluar të marrëdhënieve dypalëshe dhe për të konsoliduar vazhdimisht miqësinë ndërmjet të dy vendeve.
Presidenti indonezian Joko Widodo vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit, partneriteti strategjik gjithëpërfshirës Indonezi-Kinë është zhvilluar vazhdimisht. Indonezia vlerëson marrëdhëniet miqësore me Kinën, të bazuara në respektin reciprok, mirëkuptimin e ndërsjellë e miqësinë e sinqertë dhe është e gatshme të thellojë vazhdimisht besimin e ndërsjellë strategjik dhe bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta.
Presidenti indian Droupadi Murmu theksoi se India dhe Kina janë dy vende fqinje të mëdha që përballen me shumë sfida të përbashkëta zhvillimi dhe ndajnë interesa të përbashkëta rajonale. Ai vuri në dukje që është shumë e rëndësishme të zhvillohen marrëdhënie dypalëshe paqësore e të qëndrueshme dhe se India është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me përfitim reciprok me Kinën.
Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro u shpreh se Kina është bërë një garanci e rëndësishme për ruajtjen e paqes e qëndrueshmërisë në botë dhe një pioniere në promovimin e bashkëpunimit të barabartë dhe me përfitime të ndërsjella. Venezuela do të ndjekë me vendosmëri parimin e "një Kine", do të mbështesë në mënyrë të palëkundur Kinën në çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësore të saj dhe do të marrë pjesë në nismat e propozuara nga pala kineze, duke përfshirë bashkësinë me të ardhme të përbashkët për njerëzimin, u shpreh ai.
Presidenti argjentinas Javier Milei tha se marrëdhëniet Argjentinë-Kinë bazohen në respekt dhe bashkëpunim. Argjentina shpreson të forcojë më tej shkëmbimet e nivelit të lartë me Kinën, të promovojë bashkëpunimin në fushat ekonomike-tregtare dhe të investimeve, si edhe të forcojë shkëmbimet kulturore me palën kineze.
Kryeministri i Ishujve Solomon Jeremiah Manele vuri në dukje se bota ka dëshmuar rrugën kineze drejt modernizimit duke u mbështetur në kushtet e veta kombëtare dhe shtoi se Ishujt Solomon janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Kinën për të ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.