Studimi: Zjarret ekstreme përforcojnë ngrohjen e sipërfaqes së tokës
2024-09-27 16:44:02

foto VCG

Zjarri në Portugali në shtator 2024/ foto VCG

Një ekip kërkimor ndërkombëtar i udhëhequr nga shkencëtarët kinezë ka zbuluar se zjarret ekstreme përforcojnë ngrohjen e sipërfaqes së tokës pas zjarrit, duke ofruar perspektiva të reja për një kuptim të plotë të ndikimeve të zjarreve në pyje në ekosistem dhe ndryshimet klimaterike, shkruan “Xinhua”.

Ngrohja klimaterike ka çuar në një prirje të ngjarjeve të shpeshta, të përhapura dhe intensive të zjarreve ekstreme në pyje, por ndikimi i zjarreve gjithnjë e më të mëdhenj në pyje në klimën sipërfaqësore është nënvlerësuar, tha udhëheqësi i ekipit kërkimor Yue Chao, nga “Northwest A&F University”.

“Ne përdorëm vëzhgimet satelitore për të treguar se në pyjet e buta dhe boreale veriore, madhësia e zjarrit përforcoi vazhdimisht ngrohjen e sipërfaqes së tokës pas zjarrit gjatë verës në një dekadë për njësi të zonës së djegur”,- tha Yue.

Sipas studimit, ngrohja e sipërfaqes e shkaktuar nga zjarret ekstreme ndikon në aftësinë e pyjeve pas zjarrit për t'u rigjeneruar dhe përbërjen e tyre të specieve, si dhe përshpejton çlirimin e karbonit organik nga ngrica e përhershme.

Kjo do të thotë se zjarret ekstreme ka të ngjarë të përkeqësojnë ngrohjen globale, e cila nga ana tjetër do të çojë në zjarre më ekstreme, duke krijuar kështu një rreth vicioz.

Studimi, i botuar në revistën “Nature”, zbuloi se ngrohja e sipërfaqes zvogëlohet me rritjen e pemëve gjethegjerë, kështu që rritja e duhur e përqindjes së pemëve gjethegjerë mund të zbusë rrezikun klimaterik të shkaktuar nga zjarret.

“Rezultatet sugjerojnë urgjencën e të kuptuarit shkencor të ndikimeve ekologjike dhe klimaterike të zjarreve ekstreme, si dhe parandalimin dhe kontrollin e rreziqeve klimaterike të zjarreve ekstreme, duke premtuar përmirësimin e aftësisë për të parashikuar ndryshimin e ardhshëm klimaterik dhe për t'iu përgjigjur zjarreve ekstreme”,- tha Yue. (Irma)