Kryenegociatorja Dhuka: Udhërrëfyesi parashikon masa reformuese për përmirësimin e demokracisë dhe funksionimit të institucioneve
2024-09-22 10:36:45

Kryenegociatorja (Foto Atsh)

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka deklaroi se draft-udhërrëfyesi “Për funksionimin e institucioneve demokratike” ka në qendër Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Gjatë diskutimit të draft-udhërrëfyesit në Komisionin parlamentar për Çështjet Europiane, Dhuka tha se ai parashikon 118 masa reformuese për përmirësimin e demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve, nga të cilat 59 masa kanë lidhje me përmirësimin dhe mirëfunksionimin e Kuvendit, shkruan “ATSH”.

Ministrja shtoi se grupi i dytë i masave dhe reformave që trajton udhërrëfyesi është i lidhur me procesin zgjedhor dhe çështja e tretë është roli i shoqërisë civile, si në procesin ligjbërës, politikbërësit, por dhe në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe në zhvillimin e përgjithshëm të vendit.

Sipas saj, ky udhërrëfyes është një dokument strategjik dhe poltikbërës i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Dhuka theksoi se sa i përket funksionimit të Kuvendit, angazhimet vijnë pas përfundimit të procesit të diagnozës me BE-në, i njohur ndryshe në gjuhën e negociatave si screening, ku dhe ekipi i Kuvendit ka marrë pjesë, si pjesë e ekipit kombëtar të negociatave në Bruskel.

Kryenegociatorja shtoi se një numër masash shkojnë në drejtim të modernizimit përmes dixhitalizimit, sistemeve dixhitale, siç është sistemi i legjislacionit elektronik, i cili duhet të jetë plotësisht në punë, angazhimi është marrë deri në vitin 2028 me qëllim që të përmirësohet transparenca e proceseve.

Sa i përket grupit të dytë të masave, Dhuka tha se janë ato që lidhen me procesin zgjedhor.

“Kuvendi është në qendër të kuadrit politikbërës dhe ligjor përmes Kodit Zgjedhor dhe më gjerë të procesit zgjedhor. Mbetet i rëndësishëm sigurisht edhe roli i KQZ-së dhe AMA-s sa i përket transparencës së procesit zgjedhor”,- theksoi Dhuka.

Sa i përket çështjes së tretë të financimit të partive politike, Dhuka u shpreh se parashikohet që të ndryshojnë rregullat për donacionet, transparenca e llogarive si dhe mbikëqyrja në lidhje me financimin në përgjithësi të donacioneve, po dhe financimin e partive politike.

“KQZ-ja do të dixhitalizojë procesin e raportimit të financimit dhe publikimin e të dhënave në kohë reale brenda vitit 2025. Për këtë do të ngrihet një platformë dixhitale e cila i raporton automatikisht të dhënat”,- tha Dhuka. (Irma)