Mbretëria e Bashkuar liron të burgosurit për të lehtësuar burgjet e mbipopulluara
2024-09-11 15:26:06

Të martën nisi lirimi i kontingjentit të parë prej 1750 të burgosurish të dënuar me më pak se 5 vjet burg dhe që kanë kryer rreth 40 për qind të dënimit të tyre, në Angli dhe Uells, në kuadër të planit emergjent të Ministrisë së Drejtësisë për adresimin e krizës së mbipopullimit të burgjeve, shkruan “RTSH”.

Foto nga VCG

Burgu Wandsworth në Londër(Foto nga VCG)

Sipas planit, pritet të lirohen deri në 5500 të dënuar, por nga ai përjashtohen personat e dënuar për vepra të rënda, si dhe të dënuarit për krime seksuale apo dhunë në familje. 

Javën e shkuar, numri i përgjithshëm i të burgosurve në Angli dhe Uells shkoi në 88.521, shifra më e lartë në histori, që tregonte se të gjitha institucionet penitenciare ishin të mbushura.

Më22 tetor, skema do të zgjerohet duke përfshirë edhe të dënuar me më shumë se 5 vite burg.

Por pavarësisht se do të lirohen, të dënuarit do të jenë subjekt i kufizimeve deri në përfundim të dënimit, si mbajtja e byzylykëve elektronikë, dhe do të mbikëqyren nga oficerët e Shërbimit të Lirimit me Kusht.   

Kreu i këtij shërbimi, Martin Jones, deklaroi se departamenti që ai drejton është nën presion të madh, ndërsa paralajmëroi se inspektorët do ta kishin të vështirë të përballonin këtë fluks pune edhe për shkak të pagave të ulëta, çështjeve strukturore dhe organizative si dhe mungesës së moralit.

Sipas tij kishte shumë gjasa që të liruarit të kryejnë sërish vepra penale pas daljes dhe theksoi se ajo për të cilën ka nevojë vendi është një sistem i shëndetshëm i drejtësisë penale si dhe investime.  (Elona)