Foto nga VCG
Fluturimet në hapësirë të kompanisë “SpaceX” u pezulluan të enjten për shkak të rrëzimit të një rakete të saj. Administrata Federale e Aviacionit ndaloi përdorimin e raketave “Falcon 9” të kompanisë “SpaceX” për dërgimin e sondave dhe pajisjeve në hapësirë dhe urdhëroi një hetim pas aksidentit, që ndodhi në brigjet e Floridës. Nuk ka njoftime për të lënduar apo dëme ndaj pronës publike, shkruan “Panorama”.
Është shumë herët për të ditur se sa ndikim do të ketë kjo në fluturimet e ardhshme me njerëz në bord të kompanisë “SpaceX”, njëri privat dhe tjetri për NASA-n. Fluturimi privat i një miliarderi u shty disa orë para këtij njoftimi për shkak të motit të keq.
Raketa u lëshua nga Stacioni i Forcave Hapësinore në Kejp Kanaveral të Floridës dhe dërgoi të gjithë 21 satelitët e internetit për shërbimin “Starlink” në orbitë. Por struktura e raketës, që i jep shtytje fazës së parë të fluturimit u rrëzua dhe u përfshi nga zjarri disa çaste pasi u ul në një platformë oqeanike. Ky është aksidenti i parë i këtij lloji në vite. Kjo ishte hera e 23-të që kjo strukturë e veçantë u përdor për fluturimet në hapësirë, duke vendosur një rekord për pajisjet e tilla të ricikluara nga kompania “SpaceX”.
Administrata Federale e Aviacionit njoftoi se duhet të gjejë arsyet e aksidentit dhe të vendosë për veprimet korrigjuese përpara se të lejojë “SpaceX” që të rifillojë fluturimet në hapësirë me raketën “Falcon 9”. Një fluturim në hapësirë nga Kalifornia me satelitë interneti “Starlinks” u anulua menjëherë pas aksidentit.
Zv.presidenti i kompanisë “SpaceX”, Jon Edwards, tha se kompania po punon me shpejtësi për të kuptuar se çfarë ka shkaktuar aksidentin. (Elona)